Nga Jakin Marena
Askush të mos mendojë se Ilir Meta mund të qëndrojë jashtë rrjedhës politike shqiptare, pavarësisht se është në zyrën e Presidentit të Republikës dhe me dosjen e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe sikur Lulzim Basha të mos kërkonte dëshpërimisht “përfshirjen” e Metës në “Trekëndëshin e Bermudës” bashkë me Berishën dhe Ramën, mister mbetet fakti se kush ka qënë ai këshilltar që ia ka sygjeruar një ide të tillë liderit të selisë blu duke i veshur atij “mantelin” e misionarit të cilit historia i ka ngarkuar zbritjen në tokë për të mbyllur tranzicionin shqiptar, sërish ish kreu i LSI nuk mund të qëndronte jashtë zhvillimeve të opozitës. Madje duke tentuar të kapë dhe kreun e saj.
Ilir Meta ka dhënë prova se nuk qëndron jashtë konflikteve dhe situatave politike. Madje që në krye të herës, kur ishte zgjedhur President i Republikës në vitin 2017, por që ende nuk kishte hyrë në zyrë pasi nuk kishte bërë betimin, shpërtheu në fushatën zgjedhore duke bërë thirrje për luftë. E bëri nga Lezha këtë apel në atë kohë.
Pas kësaj Meta ka qënë gjithnjë prezent në politikë, duke lënë Presidencën dhe duke u përfshirë në lojën poilitike, herë me “popullin e 2 marsit” në “Nënë Tereza” duke ushtruar presion mbi Ramën por dhe Bashën që e kishte “popull” atë ditë në mes të turmës që brohoriste, e herë me sopata, sfurqe e kosore si në fushatën zgjedhore të 25 prillit kundër kësaj mazhorance.
Teksa shtyu zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, caktoi një datë të re zgjedhjesh, për të futur opozitën e Bashës dhe Kryemadhit në garën vendore, gjë që nuk ia arriti as me datën e re të 13 tetorit të dekretuar në atë kohë, gjë që mund t’i kushtojë dhe shkarkimin nga Kushtetuesja në janar, Meta të premten e kësaj jave garantoi demokratët se gjithçka e ka bërë për të shpëtuar nderin e opozitës.
Duke paralajmëruar se do të vijojë të jetë me demokratët, por jo me Bashën, pasi sipas tij, kupola aktuale e PD nuk dëshironte që Presidenti të afrohej tek selia e e kësaj partie, buzë Lanës. E ka zgjedhur “partnerin” Meta!
Madje përmes shkëmbimit të mesazheve me ish kreun e FRPD Belind Këlliçi, njeriu më i afërt i Sali Berishës kundër Lulzim Bashës, tregoi se Meta është “non stop” pranë PD, duke “jetuar” me hallet dhe problemet e saj.
I përmendëm këto detaje të përgjithshme për të treguar se Ilir Meta më shumë se sa president është një politikan dhe kryetari real i LSI, që po mendon për të ardhmen e tij politike, të cilën e ka të lidhur me drejtimin partisë që vetë themeloi dhe pse jo dhe të opozitës. Halli të bën të marrësh përsipër gjithçka!
Edhe tani sinjalet në drejtim të ish kryeministrit dhe ish kreut të PD Sali Berisha, i cili po lufton fort për të marrë godinën e PD dhe drejtimin e partisë më të madhe opozitare, kanë qënë të qarta nga ana e Ilir Metës.
Presidenti në daljen e tij publike deklaroi dhe njëherë se e ka “pikë të dobët” Sali Berishën dhe me sa duket ka vendosur t’i japë “një dorë” jo vetëm atij por dhe vetes, teksa më në fund është shprehur pro dekretimit të zgjedhjeve të pjesëshme vendore në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar.
Me një fjalë, “njëra dorë lan tjetrën” dhe të dyja do tentojnë të lajnë “fytyrën” e atyre që Basha i ka cilësuar si pjesë e trekëndëshit të Bermudës.
Këtë të premte Presidenti është vënë në lëvizje, nën pretendimin se ky angazhim kishte ardhur pasi shqyrtoi dosjen e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje bashkive pa kryetarë.
“Dëshira ime është që të bëheshin zgjedhje vendore në të gjithë Shqipërinë dhe kështu do të ishte mirë për të gjithë. Kjo është jashtë mundësive të mia, unë nuk ju shmangem përgjegjësive, aq sa mund të rregullohet, duhet rregulluar. Këtë nuk mund t’ia lija pasardhësit tim, sepse i bie që këeto zgjedhje të bëheshin nga shtatori-tetori, ndërkohë që në mars-prill të vitit të ardhshëm fillon prap fushata për zgjedhjet e përgjithshme vendore sipas afatit. Do ishte një mungesë përgjegjësie çdo shtyrje e mëtejshme”, deklaroi Meta.
Sipas të cilit “Kushtetuesja aq këllqe kishte, se do thoshte ose ishin kushtetuese ose ishin antikushtetuese”, duke aluduar për zvarritjen sipas tij, që bëri teksa kërkoi mendim nga Komisioni i Venecias për 30 qershorin.
Pra në kulmin e përplasjes në PD, kur Lulzim Basha më shumë se tek zgjedhjet, përgatitja e anëtarësisë për të përballuar garën elektorale në këto 6 bashki me Edi Ramën, si një “test” për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, e ka mendjen për përforcimin e dyerve, dritareve e mureve të selisë së PD, për t’i blinduar fort për t’u mbrojtur nga “intervenimi” i Berishës në godinën e PD, Ilir Meta për tre katër muaj fut partitë politike në zgjedhjet e pjesëshme vendore.
Eshtë thënë shpesh se Berisha ka mbështetjen e anëtarësisë së PD, pavarësisht vulës dhe logos që ka Basha bashkë me selinë qëndrore të kësaj partie buzë Lanës. Madje praktikisht ka filluar fushatën, duke paralajmëruar takimin me demokratët e Shkodrës. Jo më në salla të mbyllura, përmes foltoreve të famshme, por tashmë në ambiente të hapura, me masivitet në pallatin e sporteve.
Një provë force që vjen vetëm një ditë pas deklaratës së Ilir Metës, i cili nënvizoi faktin se nuk do të dekretojë zgjedhjet e pjesëshme për pushtetin vendor që të zhvillohen në vjeshtë, pra në shtator-tetor, pasi është shumë vonë, por më herët.
E thënë me shkoqur zgjedhjet pritet të zhvillohen në pranverë, më me shumë mundësi në muajt mars ose prill, një periudhë shumë e zymtë kjo për PD, e cila praktikisht është e përfshirë në një konflikt të paprecedent mes vetes, dhe palët janë zhytur në një armiqësi të thellë, sa nuk bëhen më dy vetë bashkë.
Më shumë se sa shqetësim i Ilir Metës per arsyen pse ka kaluar shumë kohë pa dekretuar zgjedhjet në këto 6 bashki, është një skenar i mirëmenduar me “pikën e dobët” të tij Sali Berishën, në mënyrë që ta zënë Bashën të papërgatirur, për t’i garantuar humbjen e radhës, akoma të të thellë. Basha dhe kur i kishte të gjithë bashkë në PD i ka humbur të gjitha garat elektorale me Ramën.
Por ky skenar e nxjerr sërish akoma më zbuluar Bashën dhe tek ajo pjesë e demokratëve që beson ende tek lidershipi i tij, duke përforcuar bindjen tashmë të konsoliduar se ai kurrë nuk mund të fitojë përballë Edi Ramës, për të sjellë opozitën në pushtet. Njëherësh duke e zhytur akoma më shumë në standardin e humbësit kronik e të përjetshëm dhe të liderit të thyer, sikurse e përdor si kauzë në PD këtë etiketim Sali Berisha.
E vërteta është se Basha në këto kushte, jo vetëm që nuk fiton, por nuk arrin asnjë standard të ngjashëm të humbjes minimale të zgjedhjeve të realizuar ndonjëherë nga PD përballë PS. Të cilët janë një makineri elektorale e këtë e kanë treguar në të gjitha zgjedhjet për 8 vite me radhë.
Edhe nëse Berisha nuk arrin të marrë vulën e PD dhe selinë, e sigurtë është se në Shkodër do të garojë me Voltana Ademin si të pavarur, në zgjedhjet e pjesshme.
Shkodra është bastion i PD por dhe mbështetëse e fortë e Berishës. Ndërkohë që do të marrë dhe një mbështetje të LSI, për të tentuar fitoren ose sëpaku për të shënuar humbjen e thellë të kandidatit të Bashës, me këdo që të kandidojë në këtë bashki.
Të njejtën gjë mund të bëjë dhe në Vorë, me Fiqiri Ismailin, që mund ta kandidojë ndoshta dhe në emër të PR ose si të pavarur, për ta mbështetur më pas me votat e PD, dhe që do të ishte sërish një kandidat i Berishës, por dhe i mbështetur me votat e LSI.
Të njejtën skemë dhe në bashkinë e Durrësit, të Rrogozhinës apo dhe të Dibrës, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që në bashkinë e Lushnjës të mbështesnin një kandidat të LSI. Pa përjashtuar mbështetjen për LSI dhe në Durrës.
Pra, në të gjitha rastet, kandidatët zyrtarë të Bashës do të ishin në vendin e tretë ose të katërt, një skemë kjo për ta zhytur akoma më tej lidershipin zyrtar të kësaj partie dhe vënë përballë demokratëve, të cilët janë të dëshpëruar për të ardhur në pushtet, qoftë vendor apo qëndror, sa janë gati të bashkohen me këdo që jep prova se sjell opozitën në qeverisje.
Pra, ndonëse Berisha betohet se do ta pushtojë selinë e PD, për të futur demokratët në shtëpinë e tyre sipas tij, në të vërtetë gjithë vëmendja është përqëndruar tek konsolidimi i thithjes së bazës së PD, për ta pasur me vete në të gjitha ballafaqimet zgjedhore që janë në radhë dhe për ta lënë Bashën si “peshkun” pa ujë, të zbuluar përballë zemërimit të demokratëve, si një humbës kronik dhe më i madh në PD.
Prandaj Berisha i ka shtuar akuzat ndaj Bashës, ku nga deklaratat se bashkë me Bardhin kërkojnë që selinë e PD ta konvertojnë në Kulla, ka kaluar në akuzat se është Basha pronar i kompanive të basteve me bazë në Qipro, pronësi që është vënë në emër të bashkëshortes së tij, Aurela!
Këtu ka dhe mbështetjen e Ilir Metës, i cili edhe nëse nuk shkarkohet më 18 janar të këtij viti nga Kushtetuesja, e sigurtë është se më 24 korrik do të përfundojë mandatin presidencial dhe do të jetë në një koalicion të pandashëm me Sali Berishën, me apo pa siglën e PD.
Prandaj themi që dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar nga ana e Metës, pikërisht në situatën më të vështirë për Lulzim Bashën, i cili i ka të “bllokuara” forcat brenda selisë së blinduar të PD për ta mbrojtur atë nga “intervenimi” i Berishës, është një kurth i mirëmenduar bashkë me Berishën për ta “groposur” përfundimisht Bashën. I cili dhe pa këto teknikicialitet, nuk ka mbështetje në bazë, ndërsa në takimet me elektoratin kanë treguar për 8 vite me radhë se nuk përcjellë frymë apo motivon njeri, e përkthyer në humbje të njëpasnjëshme përballë Edi Ramës.