Sali Berisha i është përgjigjur mbrëmë pyetjes nëse mund të pajtohet me Lulzim Bashën për hir të mosndarjes së Partisë Demokratike. I ftuar në emisonin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, ish-kryeministri Berisha tha se kjo gjë nuk mund të ndodhë duke dhënë edhe arsyet. Më poshtë një pjesë e deklaratave të zotit Berisha të bërë në emisionin “Dekalog”.
Zoti Berisha si do fitoni ju kur PS ka fituar përballë jush kur keni qenë sëbashku me Bashën. Tani jeni të ndarë si do fitoni më 6 mars?
Do fitojmë. Kjo është e padiskuteushme.
Por numrat nuk dalin doktor.
Nuk ka fare diskutim që më 6 mars do fitojnë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit. Këta gjashtë janë kandidatët e fitores. Ata që mendojnë se me logon e rrëmbyer të PD mund të bëjnë gjithçka do marrin përgjigje më 6 mars.
Zoti Berisha ku po shkon PD? Ju e keni mbështetur gjatë gjithë kësaj periudhe zotin Basha dhe nuk po keni një kompromis qoftë për këto gjashtë bashki qoftë edhe për të ardhmen e afërt të PD. PD nuk është as Sali Berisha e as Lulzim Basha. A nuk ka sado pak mençuri në lidershipin tuaj dhe të zotit Basha që të gjendet gjithsesi një lloj kompromisi? Çfarë kuptimi ka që ju të shkoni në njërin krah dhe Basha në krahun tjetër dhe ata që e pësojnë janë anëtarësia dhe PD nuk vjen kurrë në pushtet? Zoti Berisha ju keni peshën më të madhe sepse jeni lider hsitorik por edhe moshën. Ky kompromis më shumë do kërkohet nga ju se sa nga zoti Basha.
Janë dy probleme. Së pari zoti Basha ka mbi shpinë dosje kriminale për të cilat qoftë dosja Muzin, qoftë dosja tjetër të cilat janë të hapura.
E njëjta gjë si puna juaj doktor. Jemi në dyshime. Ndërsa Deparatmenti Amerikan ju ka konsideruar non grata.
Për mua s’ka asnjë dosje. Nuk ekziston asnjë fletë e veçantë. Mua më ka ardhur dosjsa në zyrë dhe është bërë publike. Nuk është e imja. Ma ka sjellë ambasadori i SHBA. Është dosja e portit. Është dosja e katër kullave.
Siç e shtroni çështjen ju doktor, kompromisi nuk arrihet kurrë.
Çështja është mes një njeriu të lirë dhe një pengu.
Nëse ju e quani Bashën peng, atëherë zoti Berisha ju nuk doni kompromisin.
Nëse nuk është peng, le të vijë të garojë kur të hapet gara për kryetar partie.
Më 13 qershor e votuat ju Bashën.
Është shkarkuar Basha. Kompromisi është vota e lirë.