Ambasada britanike inkurajoi sot Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të Vetingut.
Përmes një deklarate gjatë mbrëmjes, ambasada britanike në Tiranë theksoi se “zbatimi i reformës në drejtësi është thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe efikas si dhe për të ardhmen e Shqipërisë”.
“Ne inkurajojmë Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të vetingut. Procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të reformës dhe në përgjithësi në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike në Tiranë.
Më herët, delegacioni i BE-së dhe ambasada amerikane në Tiranë apeluan deputetët të votojnë ndryshimin e propozuar për zgjatjen e afatit të organeve të Vetingut.
Votimi për zgjatjen e afateve të Vetingut është parashikuar të bëhet ditën e enjte në seancë plenare.