Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken vlerëson Kryeministrin Edi Rama në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e tij parësor në ndihmën ndaj refugjatëve afganë dhe për çështjet e sigurisë në Europë.
Blinken priti sot Kryeministrin Shqiptar në një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit nga ku theksoi se SHBA dhe Shqipëria po bëjnë sëbashku punë në shumë fusha të ndryshme, por ajo që i ka lënë më shumë mbresa, është fakti se Edi Rama ishte i pari që u ofrua për pritjen e refugjatëve afganë në Shqipëri, gjatë verës së kaluar.
“Është një kënaqësi e veçantë t’i uroj mirëseardhjen Kryeministrit këtu në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara dhe që na jepet mundësia të flasim për punën që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po bëjnë së bashku në kaq shumë fusha të ndryshme, në kaq shumë fronte. Faktikisht, ne jemi ulur krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Jemi mirënjohës për punën që po bëjmë së bashku atje, por më duhet t’ju them Kryeministër atë që më ka mbetur mbresë e do të mbetet për një kohë të gjatë, fakti që, në fillim të verës, pasi shpallëm se do të largoheshim nga Afganistani dhe do t’i jepnim fund luftës atje, ju ishit i pari që u ofruat të prisnit refugjatët, të shpëtuarit afganë dhe kjo është saktësisht ajo që bëtë”, deklaroi Blinken.
Blinken shprehu mirënjohjen e tij për kontributin që Shqipëria jep çdo ditë në Europë edhe si anëtare e NATO-s.
“Ju jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që bëni çdo ditë në Europë për sigurinë dhe forcimin e lidhjeve të ngushta, sidomos përmes NATO-s dhe, po ashtu, siç e thashë, në Këshillin e Sigurimit, ku kemi shumë çështje sfiduese për të cilat duhet të punojmë së bashku. Kështu, më vjen shumë mirë që ju kemi këtu”, tha Sekretari i Shtetit.
Kryeministri Rama theksoi në takim se Shqipëria e konsideron marrëdhënien me SHBA si gjënë më të vyer dhe se është në nderin e saj të jetë në krah të SHBA-ve.
“Ne e vlerësojmë këtë miqësi, këtë marrëdhënie si gjënë më të vyer. Jemi shumë krenarë të gjendemi krah jush dhe të ndihmojmë sa të mundemi, për të kthyer atë çka ju keni bërë për ne gjatë këtyre viteve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu, jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë”, tha Rama.