Ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj nga foltorja e Kuvendit pranoi se reforma në sistemin e drejtësisë nuk ka ecur ashtu siç duhej, ndërsa pohoi se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit duhet të bënte më shumë në këtë proces.
Teksa pritet që sot të votohet zgjatja e mandatit për organet e vettingut, Xhafaj iu bëri thirrje deputetëve në sallë që të mbështesin procesin e reformës në drejtësi. Mes të tjerash ai iu çoi një mesazh atyre që sipas tij nuk e duan sistemin e drejtësisë së re, që ta harrojnë se i vdekuri nuk ngjallet, por veçse në ëndrra.
Xhafaj pohoi se për disa zgjedhje duhet të ndihemi të turpëruar, ndaj duhet reflektuar dhe mbajtur përgjegjësi.
“Komisionerët kanë bërë një punë voluminozë në një presion, duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK, komisioneri publik dhe veçanërisht në KPA nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e ndershmërisë kanë kërcënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt. Ne të gjithë këtu të dy krahëve duhet të na bëjë që të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP dhe KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi. Ne këtu, ju, kemi votuar për ta, i kemi zgjedhure, ndaj duhet të ndjehemi të turpëruar për disa nga zgjedhjet që kemi bërë. Duke njohur këtë përgjegjësi dhe duke reflektuar ne jemi të vërtetë me qasjen tonë ndaj këtij procesi dhe akoma më shumë i japim besueshmëri procesit”, tha Xhafaj.
“Në korrik të 2015-ës prezantova për herë të parë në media idenë e skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i emëruar si komponent të reformës në drejtësi, por s’e kishim menduar këtë gjë. Koha na ka dhënë të drejtë. Koha na ka dhënë të drejtë dhe për domosdoshmërinë e pastrimit të sistemit të korruptuar. Nga kjo foltore e përtej saj kemi dëgjuar lloj e lloj akuzash. Ata që s’i kuptoj realisht janë ata që gjenden në këtë sallë. Vettingu ka pasur konsensus të plotë politik. Aneksi kushtetues dhe ligji për vettingun iu është nënshtruar komisionit të Venecias 5 herë. Disa prej kolegëve të opozitës thonë se; ‘ligji është votuar pa votat tona’. Ligji i është nënshtruar gjykimit të Kushtetueses së kohës dhe më pas nga Venecia dhe Gjykata e Strasburgut. Ligji në fuqi është hartuar si projekt legjitim. Nëse nuk e keni kurajon për t’ju kërkuar ndjesë qytetarëve, të paktën heshtni. Disa prej jush se kanë dashur vettingun në politikë. Opozita zgjodhi rrugën e gabuar, iu shmang seancave për Legjislacionin. Apo siç veproi në 2017-ën kur hyri në çadër. Vota e sotme prej jush për ndryshimin kushtetues, është veprim i duhur. Jam i vetëdijshëm që në procesin e zbatimit jo gjithçka shkon sipas ligjit. Duhet përgjegjshmëri dhe koordinim. Vërtetë sot po miratojmë një nen të thjesht për zgjatje afati, por kemi humbur një shans të mirë për të treguar mbështetje ndaj këtij procesi. Ishte momenti që pas 5 vitesh proces, të dëshmojmë se e duam këtë proces. Ne e kemi për detyrë që t’ju japim zë qytetarëve, përtej sherrnajave. Edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo partiake që kemi. Duhet të ndihemi të turpëruar për disa nga zgjedhjet e bëra. Ne jemi të vërtetë me qasjen tonë.
Të nderuar kolegë padyshim që përgjegjësia kryesore na mbetet ne maxhorancës dhe na votuan për një mandat të 3. Lipset që të bëjmë akoma më shumë për një proces vettingu më të lartë. Procesi ka shfaqur dhe probleme, siç është ritmi apo vonesat e pajustifikuara, apo zvarritjen e qëllimshme për disa të tjerë. Ka akuza dhe për disa komisionerë, apo dhe ndikim me dy standarde. ONM duhet të luante një rol me aktiv në gjykimin e këtyre praktikave. Për disa komisionerë, janë iniciuar kallëzime penale që mbahen peng dhe tentohet qe të ndikohet në vendimmarrje të caktuara. Këto dukuri meritojnë që të analizohen. Në vlerësimin tim bordi ndërkombëtar i këtij proces do të duhej që të ishte më aktiv, por pa ONM nuk do të ishte ky proces. Janë duke luajtur rol kyç në mbajtjen e standardeve. Duhet të jemi mirënjohës dhe shoqërisë civile. Besoj te reforma në drejtësi. Është koha për të rikthyer drejtësinë e mohuar. Por është koha për të reflektuar edhe ne të gjitha krahët në këtë sallë. Ata që e duan siç e kishin dje, ta harrojnë se i vdekur nuk ngjallet më, veçse në ëndrra. Ata që e duan si dje, me keqardhje ju them se nuk paskan kuptuar asgjë. Por më mirë vonë se kurrë.”, tha ai.