Kryetari i grupit parlamentar të partisë Socialiste, Taulant Balla e ritheksoi sot si një moment të rëndësishëm miratimin me votë unanime të ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut.
Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së grupit parlamentar të PS-së nga selia e Kuvendit, Balla tha se fitoi Shqipëria, rruga evropiane e Shqipërisë.
“Nuk e fsheh dhe kënaqësinë që Kuvendi i Shqipërisë i tejkaloi axhendat politike të palëve dhe me një votë unanime miratoi ndryshimet kushtetuese për të zgjatur mandatin e organeve të Vetingut. Është një moment i rëndësishëm, fitoi Shqipëria, rruga evropiane e Shqipërisë dhe çuarja para e reformës historike në drejtësi”, tha Balla.
Balla iu përgjigj edhe interesit të medies nëse mazhoranca do të jepte dakordësinë për dy reformat për të cilat është rënë dakord të bashkëpunohet, ajo territorial dhe zgjedhore.
“Ne kemi dhënë aprovimin e mbështetjen tonë në Kuvend për ngritjen e komisioneve të posaçme. PS do të ketë 8 anëtarë në secilin komision. Bashkëkryetar i komisionit do të jetë Damian Gjiknuri. Sot në kryesinë e grupit diskutuam për përbërjen e komisionit për reformën administrative territoriale për ngritjen e këtij komisioni. Të enjten do të propozohet bashkëkryetari dhe anëtarët. Mandati 6-mujor është tërësisht i mjaftueshëm për të vlerësuar propozimet. Demokracia është një sistem ku përpiqemi të biem dakord, nëse nuk biem dakord ju e dini si funksionon. Nëse nuk biem dakord nuk dua të paragjykoj asnjë output të këtij komisioni. Ka plot çështje që meritojnë të diskutohen”, u shpreh ai.