Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i quajti të pabaza akuzat e opozitës për vjedhjen prej 430 milionë eurosh në ndërtimin e tre impianteve të trajtimit të mbetjeve.
Gjatë seancës plenare në Kuvend, ministrja Balluku tha se shifra e përmendur nga opozita ishte shuma që që do të kushtonte në 30 vite, trajtimi i mbetjeve në tre bashki.
Sipas saj, qeveria në komisionin hetimor të ngritur çmontoi gënjeshtrat e opozitës.
“Ndërmarrja që qeveria Rama vendosi të merrte që në 2013-ën, kur u përball me gjithçka trashëgoi nga qeveria e mëparshme, zona të mbytura nga plehrat, që askush nga ne nuk i harron, duke nisur nga Sharra që digjej dhe banorët edhe përtej Kombinatit jetonin me helmin që lëshonin plehrat e djegura, apo Porto Romano, që dukej se nuk ishte diçka e vërtetë, të kujtonte kthimin apokalipto, aty ky majat thirrnin kufomat e kurbanëve që bënin”, tha ministrja.
Sipas Ballukut, në këtë situatë, qeveria mori një sërë masash, duke nisur me një masterplan të detajuar, i cili kryente rolin e një udhëzuesi, se si Shqipëria duhej të trajtonte mbetjet.
“U hartuan një sërë projektesh që sot nuk janë thjeshtë inceneratorë, siç quhen, për tu kthyer në një kalë beteje politik, siç kthehet çdo projekt i mirë i qeverisë, si Unaza e madhe apo lodrat për fëmijë te Parku i Liqenit. Këta inceneratorë, nuk janë as incineratorët e turpit, e as të 430 milionë eurove të zonjës Tabaku, por impiante të përpunimit të mbetjeve që kryejnë një sërë procesesh, duke nisur nga mbledhja e tyre, te trajtimi, riciklimi e deri tek incenerimi, për të prodhuar energji, që do të shkojë në përdorim të bashkive”, tha Balluku.
Balluku theksoi se do të jenë vet bashkitë që do të vendosin nëse do të përdorin energjinë që do të prodhojnë nga këto impiante për sistemin e tyre të ndriçimit, apo do ta shesin në treg të lirë, për të përfituar para për të investuar në zhvillimin e qytetit.
Balluku tha se kjo u shumëzua me zero nga opozita dhe u vu një njollë turpi 430 milionë euro.
“Ne që ishim pjesë në komisionin hetimor, kur ju drejtuam opozitës të thoshte nga dilte kjo shumë, nuk u përgjigjen dot. Pasi morën atribute prokurori dhe gjyqtari, mendonin se do të na vinin me shpatulla pas muri. Por, me shpatulla pas muri nuk vihet askush që punon, as ata që i kanë atje, impiantet e përpunimit të mbetjeve, që, pavarësisht se u vizituan nga grupi i deputetëve demokrat u mohuan”, u shpreh ajo.
Ministrja Balluku theksoi se shifra prej 430 milionë eurosh që përmend opozita, është totali që do të paguhet për 30 vite, për shërbimin e mbledhjes së mbetjeve.
“430 milionë euro që përmend Tabaku, janë shifra totale që deri në 2047 do të kushtojë shërbimi i mbledhjes së mbetjeve. Tabaku ka bërë një përllogaritje, se sa do të kushtojë shërbimi i mbledhjes së mbetjeve në 30 vitet e ardhshme, dhe tha se kjo është shuma që ka vjedhur qeveria shqiptare. Thonë që paratë, që do të shpenzohen në 30 vitet e ardhshme, janë paratë që vodhi qeveria madje në kohën e shkuar, as në të ardhmen.
Sipas Ballukut, kjo ishte ajo që ne dëgjuam.
“Dje në mëngjes u harrua 430 milionëshi dhe doli një shifër e re, prej 100 milionësh. Kjo, pasi disa nga ministrat që u shfaqën në Komision dhanë argumente që shifra 430 milionë euro nuk ekzistonte”, deklaroi ministrja.
Ministrja kishte edhe një falenderim për deputetët e opozitës në Komision.
“Pavarësisht se shkelët rregullat e dolët jashtë objekti, i bëtë nder qeverisë, se na dhatë mundësinë një herë e mirë të çmontonim gënjeshtrat tuaja”, tha Balluku.
Që prej muajit tetor të vitit të shkuar Kuvendi ka miratuar me kërkesën e Partisë Demokratike ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier.