Komisioni hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane, nën drejtimin e kryetares Jorida Tabaku vijoi në seancën e radhës me pyetjen e dëshmitarëve.
Komisioni Hetimor thirri si dëshmitare ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
E pyetur nga deputeti i PD-së, Helidon Bushati se çfarë lloji janë kontratat e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, Balluku tha se, “MIE ka marrë këtë detyrë për të ndjekur kontratën pas vitit 2018. Ndërkohë unë jam në këtë detyrë duke nisur nga janari i vitit 2019. Kontratat janë kontrata koncesionare dhe kontrata e Fierit dhe Elbasanit janë Partneritet Publik-Privat. Ndërkohë që kontrata e Tiranës është një koncesion”.
E pyetur nëse është bërë një auditim financiar apo teknik për mënyrën e zbatimit të këtyre kontratave deri në momentin e marrjes së detyrës, Balluku tha se, “sipas ligjeve në fuqi të gjitha këto kontrata, ashtu si dhe të gjitha kontratat e tjera koncesionare të cilat janë të lidhura me të gjitha ministritë, janë bërë edhe audite financiare, edhe audite përputhshmërie, të cilat janë dhe në dispozicionin tuaj, pasi MIE ka qenë bashkëpunuese dhe i ka vënë në respekt të parlamentit të Shqipërisë, me rastin e ngritjes së këtij komisioni. Nuk ka refuzuar dorëzimin e asnjë dokumenti, kështu që jam e sigurt që i keni të gjithë këto dokumente, për çdo lloj auditi që është bërë”.
E pyetur se çfarë procedure është ndjekur për përzgjedhjen e supervizorit të inceneratorëve, Balluku theksoi se, “supervizori është zgjedhur me propozim të koncesionarit, duke sjellë 3 kompani të ndryshme dhe i janë dorëzuar autoritetit kontraktor, në atë kohë Ministria e Mjedisit, për të bërë përzgjedhjen midis 3 kompanive dhe kështu është bërë përzgjedhja”.
Në lidhje me zgjedhjen e të njëjtit supervizor për të tre impiantet, Balluku tha se, “përzgjedhja e supervizorit është bërë në kohë të ndryshme dhe nëse supervizori ka përmbushur kushtet për të qenë, pra nga 3 supervizorët e ofertuar, më i miri. Ky është një moment që nuk është kryer sigurisht nga unë dhe besoj që është i bazuar në kontratë. Në këto momente jeni duke atakuar kontratën. Dhe kam vënë re që në disa raste i referoheni kontratës dhe kërkoni zbatueshmërinë e kësaj kontrate dhe në disa raste të tjera e godisni kontratën. Besoj është momenti për sa i përket vendimit për kontratën, nëse kontrata është për t’u marrë për bazë apo e marrim vetëm në nenet ku ju keni një interes politik për ta goditur”.
Balluku shtoi se, “koncesionarët, kudo qofshin këto, edhe ai i SGS-së i bërë gjatë qeverisë tuaj, apo i Rapiscan-it, apo të tjerë koncesione që kanë qenë në fuqi, gjithmonë supervizori në një kontratë koncesionare paguhet nga vetë koncesionari. Kështu që këtu nuk keni zbuluar rrotën në këto momente besoj”.
Sa i përket impiantit të Fierit, Balluku u shpreh se, “vazhdon të jetë në një proces të ndërtimit dhe të dorëzimit të impiantit”.
“Pra, kemi një sërë komunikimesh, të cilat ju i keni marrë. Në fund të marsit të 2021 supervizori ka deklaruar, pranë autoritetit kontraktor se impianti tani është gati për të filluar procesin e testimit. Është dërguar nga NJZP gatishmëria për të marrë pjesë në testim. Ka pasur disa shkëmbime mes tyre dhe në dijeninë time janë bërë testime në këtë impiant për të treguar funksionin dhe impianti është funksional. Momenti kur do të fillohet me energji, deri në momentin e dorëzimit tek bashkia sigurisht qëndron në diskrecionin e koncesionarit që po ndërton impiantin e Fierit sipas formulës së PPP. Kështu që nuk shikoj pse nga ana e MIE duhet të këtë një shtytje për të avancuar këtë proces, duke e ditur që Fieri ka pasur edhe disa vonesa, të cilat ju i keni të qarta për cilën arsye kanë ndodhur”, tha Balluku.
Balluku shtoi se, “paraardhësi ka dhënë të drejtën e shfrytëzimit për 25 vite të objektit të impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan”.
“Është dhënë e drejta e ndërtimit dhe është licencuar prodhimi i energjisë nga impianti i Elbasanit. Duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër të ndërtuar me PPP, do të thotë që në momentin e kalimit të aseteve kalon edhe licenca, e cila konsiderohet aset tek bashkia e Elbasanit. Kështu që ne, për të thënë të drejtën, ndihemi krenarë për të gjithë procesin, pasi bashkia e Elbasanit do të ketë mundësi të prodhojë energji elektrike, me të cilën do të kompensojë të gjitha nevojat për energji elektrike të qytetit të Elbasanit. Dhe nëse prodhimi do jetë më i madh se nevojat e kësaj bashkie, sigurisht ato do të hidhen në rrjet duke prodhuar të ardhura për këtë bashki, që do të përdoren sipas kritereve ligjore, apo prioriteteve që bashkia e Elbasanit do të ketë në të ardhmen, duke nisur nga ndërtimi i kopshteve, çerdheve apo gjithçka tjetër në dobi të komunitetit”, vijoi Balluku.
Balluku tha se në bazë të kontratës licenca për prodhim energjie do t’i kalojë bashkisë së Elbasanit. “E konsideroj jo vetëm të drejtë, e konsideroj një nga arritjet më të mëdha, sesi nga plehrat që rrinin rrugëve sot do të prodhohet energji dhe do të prodhohen të ardhura për bashkitë. Pra nga malet e plehrave që i merrnin fytyrën dhe frymën Shqipërisë, sot do të kemi një prodhim energjie të pastër, e cila do të shërbejë në shëndoshjen e financave të bashkive”, u shpreh ajo
Balluku nënvizoi se e njëjta procedurë do të ndiqet edhe me impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Fierit.
E pyetur nëse ndihet përgjegjëse pasi ende nuk është vendosur çmimi i energjisë që do të prodhohet nga impianti i Elbasanit dhe ai i Fierit, Balluku tha se, “jo vetëm nuk ndihem përgjegjëse, por më vjen mirë që pushtetet në Republikën e Shqipërisë janë të ndara. Siç ju e dini ERE është rregullator, e zgjidhni ju. Dhe MIE as nuk guxon dhe as nuk merr përsipër që t’i bëjë presion ERE-s kur do nxjerrë çmimin”.
E pyetur nëse për punimet faktike të kryera në impiantin e Fierit a ka përfunduar likuidimi i të gjithë vlerës sipas kontratës, Balluku tha se, “jo nuk është përfunduar gjithë vlera sipas kontratës. Vazhdon të ketë një pjesë të punimeve, që nuk janë përfshirë në situacione. Kur supervizori të sjellë situacionet NJZP do të përcjellë procesin sipas ligjshmërisë së kontratës”.
Në lidhje me kryerjen e pagesave për punimet dhe kush mban përgjegjësi për këto pagesa, Balluku tha se, “Sekretari i Përgjithshëm i MIE miraton procesin bazuar në situatacionet e supervizorit dhe bazuar në raportet e NJZP-së”.
“Kjo nuk është çështje kontraktuale, kjo është çështje ligjore sesi funksionojnë dhe deri tek firma e autorizuar, cilat janë hapat ligjorë që ndiqen dhe kush mban përgjegjësi për këtë. Patjetër, pa asnjë lloj dyshimi që Sekretari i Përgjithshëm është ai që autorizon pagesën mbështetur në të gjitha dokumentet ligjore të prodhuara nga supervizori dhe NJZP-ja”, theksoi Balluku.
E pyetur nëse është amenduar kontrata për të përfshirë mbetjet e Durrësit në impiantin e Tiranës, Balluku tha se, “jo kontrata nuk është amenduar”.
“Kam dëgjuar sot një shpjegim shumë të mirë të kryetares së bashkisë së Durrësit, e cila foli për një emergjencë mjedisore, ku plehrat e Durrësit ndodheshin nëpër rrugë, dhe kështu është marrë vendimi, por jo një vendim i pastudiuar, pasi në masterplan ne në Republikën e Shqipërisë sot që flasim prodhojmë 1.1 milionë ton plehra në vit. Dhe sipas këtij masterplani janë shpërndarë se ku duhet të jenë landfillet apo ku duhet të jenë njësitë e impianteve të përpunimit të mbetjeve”.