Nga Alba Malltezi/
Pak vetë e dinë, por me siguri të gjithë ata që kanë punuar që në hapat e parë të Rilindjes Demokratike e dinë shumë mirë se Sali Berisha është ndër të parët përdorues të gjuhës së urrjetjes në Shqipërinë Demokratike. Jo vetëm si furnizues materialesh denigruese, personale për kundërshtarët e tij, por edhe autor shkrimesh me emra anonimë, ku me një gjuhë “rruge”, me shpifje, deformime dhe shprehje që cënojnë dinjitetin njerëzor, sulmonte dhe nxiste sulm ndaj njerëzve që e kritikonin dhe sot e kritikojnë.
Ata që sot i quajmë “urryes” në social media, me Berishën e kemi patur shembull që në fillimet tona të Demokracisë, duke deformuar dhe duke ndotur debatin konstruktiv në shoqëri. Për të realizuar këtë taktikë të shëmtuar politike, përherë është rrethuar nga një grup njerëzish që për arsye të ndryshme: adhurim, dedikim, frikë, servilizëm, përfitim, i kanë qëndruar afër duke shumëfishuar taktikën e tij çnjerëzore; të tjerë, e braktisën rrugës duke u bërë dëshmitarë të asaj kohe çmendurie. Ndryshe nga pjesa tjetër e botës, ku përdoruesit e gjuhës së urrejtjes izolohen, dënohen nga një shoqëri e tërë dhe nga ligji, me fenomenin Berisha ne i kemi ata në politikë krah tij, në media krah tij, editorialistë, botues e portalistë krah tij. Të vetmin hap për izolimin e tyre e kanë bërë shqiptarët, që me votë këmbëngulëse i dënojnë të qëndrojnë në periferi të shoqërisë e vendimmarrjes.
Në çdo kohë Berisha e gjen një shpurë idhtarësh të ngjashëm me të që i bëjnë jehonë taktikës së tij denigruese dhe cënuese të dinjiteti njerëzor. Në darën e tyre të ndotur përfundojnë sistematikisht “armiq” të vjetër e “armiq” të rinj: nga gazetarë, politikanë, njerëz të drejtësisë, ambasadorë, artistë e njerëz të shoqërisë civile, kushdo që “guxon” të shprehë një mendim që nuk është sipas botëkuptimit të ish-Presidentit. Ish-kryeministrit, ish-liderit të PD-së të Shqipërisë.
Atëherë, në tymin e pikëpyetjeve që ky grup “terroristësh” mediatikë e shpërndarës shpifjesh e sharjesh në social media, që shpërndan i habitur se “përse SHBA-të guxuan ta deklarojnë Sali Berishën dhe familjen e tij “non grata”, duhet të shtohet si qartësim edhe një arsye e rrallë në gjithë botën: Sepse Sali Berisha, disa nga familjarët e tij dhe bashkëpunëtorët, si askush tjetër në Shqipëri, në Ballkan, në Europë, në Botë, ka prodhuar dhe prodhon materiale që cënojë dinjitetin njerëzor të kundërshtarëve të tij politikë, të punonjësve të shtetit që i dilnin dhe i dalin kundër dhe të kujtdo tjetër që e mendon ndryshe nga ai.
Dhe sidomos, “non grata” edhe për një arsye tjetër: Sepse ky zell i cënimit njerëzor sistematik dhe i vazhdueshëm, i sulmit të kundërshtarëve jo për shkak të bindjeve, por për shkak të origjinës (shqiptarë apo të huaj, italianë, amerikanë, gjermanë, francezë, koreano jugorë, kinezë), të racës, të ngjyrës së lëkurës, të përkatësisë fetare dhe krahinore, përfundojnë nën darën e sulmeve të tij dhe njerëzve që i shërbejnë në familje dhe në media.