Nga Skënder Minxhozi/

Në fund dolën zbuluar. Më e ndershme kështu. Sepse deri më sot, 30 e kusur vite pluralizëm, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kanë qenë kurrë personalisht aleatë në një fushatë elektorale. Para zgjedhjeve kanë qenë përherë formalisht kundërshtarë. Janë bashkuar më pas, si në 2009, por gjatë asaj fushate fjala vjen, i pari ishte “Sali Gërdeci”, i dyti “Ilir floriri”. Të nesërmen e zgjedhjeve LSI fitoi papritmas katër votat e arta dhe Gërdeci u fshi si me magji nga fjalori…

Sot më në fund Berisha dhe Meta kanë hequr nga skena zëvendësat (dmth Bashën dhe Kryemadhin), e kanë shtrënguar duart publikisht, paçka se kryetarit të shtetit nuk para i lejohet të hyjë kaq açik në dallaveret zgjedhore të partive. Megjithatë ky detaj ka pak rëndësi në një karrierë si kjo e Presidentit Meta, që ka qenë e rreshtuar qysh në ditën e saj të parë në atë poltron!

E megjithatë koalicioni i parë parazgjedhor Meta-Berisha i gjen të lodhur të dy kalorësit e vjetër. Berisha po i afrohet të tetëdhjetave, është konsumuar aty ku s’rrëfehet, ka mbi shpinë fletërrufenë e Amerikës dhe përballë i ka dalë sfidueshëm ai që dikur e përdorte si kamarierin e partisë, Lulzim Basha.

Nëse Athina qan, Sparta nuk qesh, thotë proverbi. Edhe Ilir Meta vjen në këtë fushatë me një këmbë në Presidencë dhe tjetrën në parti, pa harruar se është shkarkuar nga Parlamenti dhe me amerikanët s’i ka punët hiç me mirë sesa Berisha. Ilir Meta kupton se e kanë mbyllur në kuvlinë e Presidencës për t’i rrënuar elektoralisht partinë (me katër deputetë në zgjedhjet e 25 prillit) dhe për ta nxjerrë gradualisht nga politika aktive. Reagimi i tij nervoz dhe plot gjeste që krijojnë herë humor e herë keqardhje, pasqyron këtë vonesë të krijuar në raport me Ramën dhe socialistët, që sot konsumojnë në paqe sherrin që ka plasur djathtas.

Koalicioni Meta-Berisha është më jetëgjati në politikën shqiptare të pas vitit 1991. Shumë janë marrë vesh e më pas janë kacafytur, shumë të tjerë kanë ndarë torta pushteti e parime shteti, por më pas janë braktisur me pezm. Të vetmit që e kanë ruajtur të paprekur paktin e hershëm, sipas të cilit e majta duhet të ketë një djalë plangprishës në mënyrë që të fitojë Berisha, janë Ilir Meta dhe sivllai i tij i madh Sali Berisha.

Për pasojë që të dy ndodhen sot në pozicionin më të ndershëm të imagjinueshëm në raport me publikun. Nuk kanë pse bëjnë më teatër si 30 vjetët e fundit, sikur luftojnë e shahen, sikur akuzohen e bëjnë garë mes tyre. Meta s’ka pse shtiret më si “socialist” dhe as Berisha si i djathtë që s’i sheh dot me sy ata që ndodhen në të mëngjër. Kanë dalë hapur dhe kanë marrë përsipër pasojat e këtij vendimi. Fati i bashkoi herët, por “dasmën” po e konsumojnë shumë vonë. Aq vonë se nuk ju shkon më as shprehja “më mirë vonë se kurrë”!