Presidenti i SHBA Joe Biden ka nënshkruar një urdhër për të ofruar deri në 600 milion dollarë “ndihmë të menjëhershme ushtarake” për Ukrainën. Vendi është nën pushtimin rus për të tretën ditë të shtunën , pa asnjë shenjë bisedimesh mes Moskës dhe Kievit për zgjidhjen e konfliktit.
Biden udhëzoi Sekretarin e Shtetit Antony Blinken të lironte deri në 350 milionë dollarë mbështetje direkte për Ushtrinë dhe 250 milionë të mbetura do të jenë për “ndihmë të përgjithshme”, sipas memos së publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Urdhri vjen pas një telefonate midis Biden dhe presidentit ukrainas, ku u fol për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofrimin e ndihmës mbrojtëse për Kievin.
Këtë mëngjes Zelensky ka dalë në një videomesazh nga Kievi, duke rrëzuar lajmet e rreme.
“Ka shumë informacione të rreme që thonë se kam urdhëruar ushtrinë ukrainase të dorëzohet. Pra, dëgjoni këtu: Unë jam këtu. Ne nuk po i lëmë armët, do të mbrojmë vendin tonë. Armët tona janë e vërteta jonë, është vendi ynë, fëmijët tanë dhe ne do t’i mbrojmë.”
Po ashtu, përmes një postimi në Twitter 20 minuta më parë, ai është shprehur se ndihma e Franës është rrugës drejt Ukrainës. “Një ditë e re në vijën e frontit diplomatik filloi me një bisedë me Emmanuel Macron. Armët dhe pajisjet nga partnerët tanë janë rrugës për në Ukrainë. Koalicioni kundër luftës po funksionon!”
Luftimet e ashpra në rrugë kundër trupave ruse po zhvillohen në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndërsa zyrtarët u kërkuan banorëve vendas të strehohen menjëherë. Trupat ruse arritën në Kiev herët të shtunën në mëngjes, duke sulmuar një bazë ushtarake në qytet, si dhe duke u përpjekur të kapnin një stacion të prodhimit të energjisë elektrike.
Sipas mediave ndërkombëtare, presidenti Zelensky ka refuzuar ofertën e Uashingtonit zyrtar për të ndihmuar në evakuimin e tij nga Ukraina. Sipas këtyre të fundit, qeveria amerikane ishte përgatitur për të ndihmuar Zelenskyn.
Por ai ka refuzuar dhe është shprehur “lufta është këtu. Unë kam nevojë për municion, jo një udhëtim”, raportoi Associated Press, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës me njohuri të drejtpërdrejta të bisedës.