Presidenti rus Vladimir Putin u përball me një mori sanksionesh perëndimore pasi e solli Evropën në prag të luftës me njohjen e dy zonave të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore.

“Kush, në emër të Zotit, sipas Putinit i jep të drejtën të shpallë të ashtuquajturat shtete të reja në një territor që i përkiste fqinjit të tij?, theksoi presidenti amerikan Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë.

Biden shtoi se sanksionet e reja të ashpra të SHBA-së do të synonin dy institucione të mëdha financiare dhe borxhin sovran të vendit, si dhe disa oligarkë rusë dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Ai paralajmëroi se ‘’SHBA janë të përgatitura të shkojnë më tej” nëse Rusia do të zgjeronte agresionin e saj kundër Ukrainës, të cilën ai e quajti një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Presidenti njoftoi gjithashtu se më shumë trupa amerikane do të dërgohen në shtetet baltike, në krahun lindor të NATO-s, nga pjesë të tjera të Evropës.

Uashingtoni kohët e fundit dislokoi 3 000 trupa të tjera në Poloni dhe Rumani.

Putin përshkallëzoi në mënyrë dramatike tensionet me Perëndimin duke njohur pavarësinë e rajoneve separatiste pro-ruse të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Më pas ai urdhëroi trupat të hynin, duke pretenduar se do të kryenin detyra paqeruajtëse.

“Ky është fillimi i një pushtimi rus të Ukrainës,” theksoi Biden duke shtuar se ‘’Uashingtoni beson se Rusia është gati të nisë një sulm masiv ushtarak kundër Ukrainës”.