Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se bombardimet në Ukrainën lindore gjatë 48 orëve të fundit janë pjesë e përpjekjeve ruse për të krijuar “provokime të rreme”, të cilat kanë si qëllim të justifikojnë agresionin e mëtejshëm, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.
Sipas zyrtarit të lartë amerikan ajo që po ndodh është pjesë e skenarit rus. “Ajo që ka ndodhur në 24-48 orët e fundit është pjesë e një skenari për të krijuar provokime të rreme, për t’iu përgjigjur më pas me kryerjen e një agresioni të ri kundër Ukrainës,” tha Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Ndërkaq, ushtria e Ukrainës dhe rebelët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit dhe shënjestrimin e civilëve.
Duke folur më herët sot, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ngjarjet në Donbas ishin shumë shqetësuese, duke paralajmëruar se situata atje dukej shumë e rrezikshme.