Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka thënë se mezi pret një përparim konkret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Këto komente Borrell i bëri pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla të cilët po qëndrojnë në Mynih të Gjermanisë ku po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Borrell përmes një postimi në Twtter ka shkruar se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar për sfidat gjeopolitike dhe implikimet rajonale në Ballkan.

“Shkëmbime të mira me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla në lidhje me sfidat gjeopolitike që po shohim për momentin dhe implikimet rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ne diskutuam gjithashtu edhe hapat e ardhshëm në dialogun Beograd-Prishtinë. Mezi presim së shpejti të kemi përparim konkret”, ka shkruar Borrell.

Ndryshe kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njëjtë nga pala serbe.

Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm.