Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tani ka publikuar detaje mbi sanksionet që planifikon të vendosë ndaj Rusisë dhe oligarkëve pranë Putinit.

BBC raporton se qeveria britanike ka vendosur që të ngrijë pasuritë e tre individëve, të cilët janë Gennadiy Timchenko, Boris Rotenberg dhe Igor Rotenberg.

Krahas tyre, britanikët kanë vendosur që të aplikojnë sanksione edhe ndaj pesë bankave ruse, të cilat janë: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Banka e Detit të Zi.

Gjatë fjalës së tij ku foli mbi sanksionet mbi Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, Boris Johson tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje diplomatike deri në momentin e fundit.

“Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të vendosin sanksione kundër Rusisë”, përfundoi ai.