Britania do të donte të shkëputte Rusinë nga sistemi global i pagesave ndërbankare SWIFT dhe do të vazhdojë të lobojë aleatët hezitues për të ndërmarrë këtë hap, tha ditën e sotme Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace.
“Ne do të donim të shkonim më tej, me sistemin SWIFT – ky është sistemi financiar që u lejon rusëve të lëvizin para në mbarë botën për të marrë pagesa për gazin e tyre – por … këto janë organizata ndërkombëtare dhe nëse të gjitha vendet nuk dëshirojnë që ata të përjashtohen nga sistemi SWIFT, bëhet e vështirë”, tha Wallace për BBC TV.
Presidenti i SHBA Joe Biden tha ditën e djeshme se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë zgjedhur të mos e ndërpresin Rusinë nga SWIFT, por ai tha se kjo çështje është e hapur për tu riparë.
Të enjten, vendet e mëdha perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, njoftuan sanksione ndaj Rusisë, duke u shtrirë nga bankat e saj deri në elitat, si përgjigje ndaj pushtimit të Rusisë në Ukrainë, pas muajsh dialogu diplomatik që nuk dhanë fryte.
Wallace tha se Britania do të vazhdojë të lobojë aleatët e saj për të fituar mbështetje për një lëvizje në SWIFT.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi në diplomaci,” tha ai.