Zarfi i Këshillimit Kombëtar ka mbërritur aktualisht në 480,266 familje shqiptare. Me synimin që qeveria të konsultohet për çështje të rëndësishme me secilin prej tyre, procesi po shtrihet në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare Ervin Bushati sqaroi në një intervistë për ATSH-në, se qytetarët e kanë falas kthimin e përgjigjes. 54,209 përgjigje janë kthyer aktualisht në postë, të cilat i janë përcjellë Bashkëqeverisjes për të përpunuar opinionin e mbledhur nga qytetarët. Shpërndarja e pyetësorëve do të vijojë në të gjithë territorin, deri në javën e tretë të muajit shkurt dhe më pas qytetarët janë të ftuar të rikthejnë opinionin e tyre fizikisht përmes Postës Shqiptare.
Qeveria për herë të parë iu është drejtuar qytetarëve me një pyetësor, duke pritur qëndrimin e tyre për çështje specifike, të cilat më pas ka shprehur vullnetin t’i bëjë pjesë të zbatimit të programit të saj.
Prej disa javësh ka nisur procesi i Këshillimit Kombëtar. Deri tani, sa është numri i zarfeve që është rikthyer me anë të Postës Shqiptare?
Procesi po ecën shumë mirë dhe ne po bëjmë maksimumin që çdo pyetësor i plotësuar të vijë në destinacion. Deri tani janë shpërndarë 480,266 formularë dhe 54,209 formularë janë thyer aktualisht në postë. Pra kemi një raport pak a shumë në 10 përqind të kthimit të përgjigjes. Dua të bëj me dijë se procesi është falas. Shumë nga qytetarët pyesin nëse duhet të paguajnë dhe dua të theksoj se procesi është falas. Pra mjafton të plotësosh formularin dhe ta kthesh në zarfin që është brenda dhe ta dorëzosh atë në çdo zyrë postare. Prandaj, iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare që të plotësojnë formularin dhe të japin mendimin e tyre në lidhje me pyetjet. Çdo qytetar që ka një fjalë për t’ia përcjellë qeverisjes, mjafton të plotësojë formularin dhe ta dorëzojë atë nëpërmjet Postës Shqiptare, pa asnjë kosto. Është një proces që kryhet për herë të parë dhe ka shkuar mbarë nga ana logjistike. Shpërndarja ka vazhduar me ritme shumë të mira dhe jam i kënaqur edhe me mënyrën se si po kthehen përgjigjet. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që i gjithë procesi është falas dhe kjo ndoshta mund të bëjë që shumë më tepër qytetarë të marrin pjesë aktive në këtë proces kaq demokratik dhe të hapur.
Në bazë të informacionit të përditësuar që ju keni, a mund të na thoni se cilat nga qytetet e vendit kanë numrin më të lartë të kthimit të përgjigjeve të pyetësorit të Këshillimit Kombëtar?
Procesin e shpërndarjes së formularëve të Këshillimit Kombëtar e kemi nisur të përqendruar pilot në qytetin e Tiranës, sepse kryeqyteti ka edhe numrin më të madh të zyrave postare dhe donim të shikonim dhe nga ana logjistike si shkonte procesi. Kështu që patjetër Tirana është qyteti që ka numrin më të madh të kthimit të përgjigjeve. Ndërkohë që të gjitha rrethet kanë pak a shumë të njëjtin ritëm shpërndarje, sepse edhe ne kemi vendosur që ritmi të jetë i njëjtë, që në mënyrë kapilare dhe se si përthithet nga qytetarët, të jetë e organizuar dhe të shkojë sa më mbarë. Sepse nëse do ti dërgonim të gjitha në të njëjtin vend nuk do të arrihej të ndahej, nuk do të arrihej të kthehej përgjigje. Pra është një proces pak angazhues edhe nga ana logjistike i kalkuluar mirë, prandaj kemi dashur që të shpërndahet në të gjithë qytetet në të njëjtën kohë, kështu që edhe përgjigjet po vijnë në të njëjtën kohë. Kjo tregon edhe për vërtetësinë e përgjigjeve dhe të shpërndarjeve, si dhe të asaj që do të dalë nga pikëpamja e vendimmarrjes politike. Sepse ky është një pyetësor që organizohet në shumë vende të botës dhe ka të bëjë shumë edhe mënyra se si procesi logjistik i kthimit të përgjigjes është demokratik, pra i vërtetë.
A ka parashikuar Posta Shqiptare një periudhë së kur do të përfundojë shpërndrja në çdo shtëpi e pyetësorëve dhe kur është afati që parashikohet të kthehen përgjigjet?
Posta Shqiptare aktualisht është në gjysmë të punës, deri tani ka kryer shpërndarjen e 50% të pyetësorëve. Mendoj se procesi po shkon mirë dhe do ta përfundojmë në afatin e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave dhe Bashkëqeverisja, që është data 20 Shkurt. Është shumë e rëndësishme që të marrim edhe përgjigjet e qytetarëve, pra produkti është misioni i kësaj nisme, sa përgjigje do të marrim nga qytetarët. Prandaj po i rrimë në kokë të dyja proceseve, sepse do të ishte shumë e thjeshtë të kryenim procesin e shpërndarjes dhe të mos merreshim me kthimin e përgjigjes së qytetarëve. Ndërkohë që produkti që kërkon edhe qeverisja është që të dimë se çfarë mendojnë qytetarët. Prandaj, në një farë mënyre kërkon një angazhim të dyfishtë, sepse nuk është vetëm për ti çuar por edhe për të marrë dhe për të nxjerrë një produkt se çfarë këshillojnë qytetarët se duhet bërë më mirë në këtë vend.
Përgjigjet e qytetarëve që kthehen me anë të Postës Shqiptare, kur i përcillen Bashkëqeverisjes?
Zarfet me përgjigjet e qytetarëve që vijnë në Postën Shqiptare, dorëzohen në adresë të Bashkëqeverisjes. Në fakt që në adresë është direkt te Bashkëqeverisja. Kështu që çdo gjë shkon atje, ku më pas analizohet sipas proceseve. Që tek adresa e kthimit të përgjigjeve është adresa e Bashkëqeverisjes dhe thuhet “tarifa që është paguar nga porositësi” dhe është falas.
Bushati, kjo është edhe një sfidë për Postën Shqiptare. Cilat janë sfidat e ardhshme të saj?
Posta Shqiptare është institucioni më e vjetër në vend. Ka nisur funksionimin 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë, pra është një udhëtim i gjatë, 110 vite. Posta Shqiptare ka një mision publik, ekonomik dhe patjetër edhe financiar që duhet të përmbushi. Posta Shqiptare është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe mund të ofrojë shumë më tepër shërbime dhe mund të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe patjetër të bëhet një mekanizëm për zhvillimin e ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare. Ne jemi kudo në Shqipëri me më shumë se 530 zyra postare, të shtrira në mënyrë kapilare dhe përveç më shumë se 100 shërbimeve që ofrojmë, mund të rrisim gamën e shërbimeve të ofruara. Mendoj se teknologjia dhe zhvillimet e reja që po shikojmë, që nga pikëpamja e shoqërisë se si në mënyrë virtuale dhe teknologjike po evoluon, ashtu duhet të përgjigjemi edhe ne. Kemi shumë produkte që do të hedhim në treg dhe mendoj se do të lehtësojnë shumë mënyrën se si funksionon shoqëria. Që nga mënyra e pagesave, e dërgesave, e transfertave, e remitancave të atyre që dërgojnë para nga jashtë. Në qoftë se ne arrijmë të kthejmë procesin online dhe ta digjitalizojmë, do të bëjmë një shërbim të madh ndaj qytetarëve dhe patjetër që do të rrisim edhe kompaninë.