Kryeministri Edi Rama u takua ditën e sotme me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, ku janë diskutuar çështjet midis dy vendeve. Pas takimit me Blinkenit, kryeministri Rama ka dhënë një konferencë për mediat shqiptare të pranishme në SHBA, duke ndjekur vizitën e kreut të qeverisë në kuadër edhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si anëtare e përkohshme. Ai është pyetur nga gazetarët shqiptarë nëse ka diskutuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken çështjet të politikës së brendshme shqiptare si shpallja ‘non-grata’e ish-kryeministrit Berisha apo shkarkimi i presidentit Ilir Meta. Në përgjigjen e tij kryeministri Rama ka bërë të ditur se nuk është diskutuar asnjë prej këtyre çështjeve me Sekretarin Amerikan të Shtetit. Ndërsa ka deklaruar se Blinken ka dhënë pëlqim 100% për projektin e Ballkanit të Hapur.
“Rama tha se është një çështje për të cilën nuk mund të shpenzojë asnjë minutë dhe tha se ai nuk ka asnjë meritë apo nuk ka gisht për shpalljen non grata të Berishës nga SHBA”, u shpreh gazetarja e Tv Klan, ndërsa shtoi se kryeministri nuk pranoi të flasë lidhur me ndonjë kalkulim të mundshëm për çështjen e presidentit, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka shpallur vendimin.