Mesfushori i Chelsea-t, Jorginho, ka pranuar se ai është refuzuar nga Palmeiras në fillimet e karrierës së tij. Italiani do të ketë një mundësi të hakmerret në finalen e Botërorit për klube që londinezët do të luajnë këtë të shtunë (ora 17:30) kundër klubit brazilian.
Ka qenë vetë mesfushori që e ka zbuluar atë që ka ndodhur në prag të përballjes me Palmeiras-in: “Do t’ju them diçka që jo shumë njerëz e dinë”, ka thënë kampioni i Europës me Italinë dhe Chelsea-n.
“Lidhja që kam me Palmeiras-in është se unë jam marrë në provë nga klubi kur kam qenë 12 vjeç dhe nuk kam arritur të siguroj një vend në skuadër. Ky është i vetmi kujtim që kam nga Palmeiras.
“Kështu e ka futbolli. Tani jemi këtu 18 vite më pas për t’u përballur në finalen e Botërorit për klube kundër Palmeiras dhe është një çmenduri. Këto histori e bëjnë futbollin të bukur.
“Gjithçka ndodh për një arsye. Ndoshta është më mirë kështu. Do të përdor gjithçka është e mundshme për të motivuar veten dhe për të fituar”.