Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar miratimin e vaksinës Spikevax të kompanisë Moderna kundër koronavirusit (COVID-19) për përdorim te fëmijët e moshës nga 6 deri 11 vjeç.

“Studimi kryesor tek fëmijët e moshës 6 deri në 11 vjeç tregoi se përgjigja imune ndaj një doze më të ulët të Spikevax (50 µg) ishte e krahasueshme me atë të vërejtur me një dozë më të lartë (100 µg) tek moshat 18-25 vjeç, e matur nga nivelet e antitrupave kundër SARS-CoV-2”, njoftoi EMA.

Gjithashtu shtohet se efektet anësore të zakonshme janë kryesisht të moderuara dhe përfshijnë dhimbje, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, lodhje, dhimbje koke, të vjella, nyje limfatike, ethe dhe dhimbje të muskujve dhe kyçeve, por gjendja zakonisht përmirësohet disa ditë pas vaksinimit.

Vaksinat Spikevax tashmë janë miratuar për përdorim tek të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç. Vendimet e EMA-s për vaksinat dhe barnat miratohen nga Komisioni Evropian.
Deri më tani Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar përdorimin e vaksinave të BioNTech-Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson dhe Johnson.