Kryeministri britanik Boris Johnson citoi The Lion King, duke këmbëngulur se “ndryshimi është i mirë”, pasi ai kërkoi mbështetjen e stafit pasi Downing Street u trondit nga pesë dorëheqje.
Downing Street tha se Johnson e pranon situatën “sfiduese” pas dorëheqjes së një prej këshilltareve të tij më jetëgjatë, Munira Mirza.
Mirza dha dorëheqjen i zemëruar për përdorimin e një shpifjeje të rreme nga Johnson kundër liderit laburist Sir Keir Starmer në lidhje me dështimin për të ndjekur penalisht pedofilin famëkeq Jimmy Saville, ndërsa ishte nën presion lidhur me akuzat për shkelje të rregullave të izolimit në vend.
Shefi i stafit Dan Rosenfield ndoqi Mirza-n, të njëjtën gjë bëri edhe sekretari kryesor privat Martin Reynolds dhe drejtori i komunikimit Jack Doyle, të cilët ishin të gjithë të përfshirë në skandalin e “partygate”.
Eksodi vazhdoi të premten kur këshilltarja e politikave Elena Narozanski dha dorëheqjen, duke shtuar më tej trazirat ndërsa Johnson përpiqet të mbajë pushtetin.
Duke folur me stafin në dhomën e kabinetit, ndërsa të tjerët ishin të sintonizuar në Zoom, kryeministri tha: “Siç thotë Rafiki në “The Lion King”, ndryshimi është i mirë dhe ndryshimi është i nevojshëm edhe pse është i vështirë.”
Duke folur për gazetarët, zëdhënësi i tij zyrtar tha: “Kryeministri e ka pranuar se është një kohë sfiduese pasi po kalojmë një periudhë ndryshimi, por siç i përsëriti të gjithë ekipit sot, ka një punë të rëndësishme për të bërë, publiku pret që ne të jemi të fokusuar, pavarësisht situates në Ukrainë, rikuperimi nga pandemia ose, siç po parashtronte dje Kancelarja, në çështje të tilla si kostoja e jetesës”.
Dorëheqjet kanë ushtruar presion ndaj kryeministrit britanik teksa ai lufton për të mbetur në krye, me 13 deputetë konservatorë që bëjnë thirrje publikisht për dorëheqjen e tij për shkak të skandalit “partygate”.