Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të premten ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. Gjykata lë në fuqi vendimin e shkallës parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me 3 vite e 4 muaj heqje lirie.

Pas vendimit, ish-ministri u shoqërua drejt burgut 313, në Tiranë.

Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë tre vite e katër muaj burg.

Vuajtja e dënimit me burgim për Tahirin fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Ish-ministri i Brendshëm, reagoi menjëherë pas dhënies së vendimit në Facebook, duke theksuar se nuk e ka shkelur kurrë ligjin, dhe vendimin e gjykatës e konsideroi si padrejtësi.

“Ju dua shumë të gjithëve. Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjeshtë padrejtësi“, shkruan Tahiri.

Prokuroria e Posaçme SPAK, kishte kërkuar 12 vjet burg për Tahirin.

Kjo çështje, u zvarrit prej pesë vjetësh në radhët e shumë gjykatave.

SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin dhe ish-drejtorin e policisë Jaeld Çela. Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi që Tahiri të shpallej i pafajshëm.

Çështja “Tahiri” u regjistrua në këtë GJKKO më 26 nëntor 2021.

Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit, Jaeld Çela.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020 të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues. Apeli i Posaçëm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike. Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.