Nën dirigjimin e plotë të njerëzve të FSHF-së dhe në mënyrë anti-ligjore, sot u zhvilluan zgjedhjet fars në Shoqatën Rajonale të Lezhës. Ashtu si në çdo Shoqatë, edhe në Lezhë, delegatët me të drejtë vote u zgjodhën njërezit e besuar të Armando Dukës, por për ta bërë më të bukur farsën nuk mungoi propozimi si kandidat për president emri i Sulejman Starovës.

Por përveçse farsës zgjedhore të zhvilluar, skandali më i rëndë është fakti se kjo Shoqatë nuk figuron e rregjistuar nga ana e Gjykatës. Siç shihet në faksimilen e mëposhte Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, ka hedhur poshtë kërkesën për regjistrimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë. Vendimi është marrë prej 4 tetorit të kaluar, shkruan Gazeta Sport.
Në vendimin e Gjykatës Tiranës thuhet: “Pushimin e gjykimit të kërkesës së kërkuesit Ridvan Kulli dhe kthimin e akteve palës kërkuese ‘Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë’”, si edhe “urdhërohet Zyra e Regjistrimit të OJF-ve të kryejë veprimet përkatëse”. Megjithë këtë vendim të Gjykatës, FSHF-ja ka vijuar me falsifikimet dhe manipulimet, duke shkelur haptazi ligjet dhe injoruar vendimet e Gjykatave, duke u sjellur si shtet më vete. Këto janë prova dhe për vëzhguesit e UEFA-s që do jenë në vendin tonë monitoruar proçesin e zgjedhjeve, që deri më tani ka qenë i gjithi në shkelje të plota.