Pak ditë pas dorëzimit në prokurori të padisë së kryebashkiakut Erion Veliaj, në prokurorinë e kryeqytetit, për shpërdorim detyre dhe falsifikim nga dy drejtuesit më të lartë të FSHF, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën nga sekuestrimi i dokumentacionit. Për më shumë se 4 orë, OPGJ e Prokurorisë Tiranë, kanë qëndruar të hënën në zyrat e FSHF, për të sekuestruar në cilësinë e provës materiale, të gjithë praktikën për zgjedhjen e kreut të shoqatës rajonale të Futbollit të Tiranës.

Në akt-padinë e kryebashkiakut thuhet se Ilir Shulku me detyrë sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ardian Hacini, me detyrë sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futboll Tirana, kanë manipuluar në bashkëpunim zgjedhjet për kreun e Shoqatës Rajonale të Futboll Tirana. Pretendimet që ngrihen nga pala paditëse, në cilësinë e aksionerit të Klubit Tirana, është se janë kryer falsitete në dokumentacion duke rritur në mënyrë fiktive numërin e anëtarëve që kanë votuar për zgjdhjen e drejtuesit të shoqatës. Prokurorët thanë se hetimi do të jetë i gjithanshëm dhe se praktika e sekuestuar është voluminoze.

Në listën e prokurorëve janë emrat e më shumë se 40 ekipeve që janë pjesë e shoqatës Rajonale të Futboll Tirana. Pasdrekën e së hënës, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë sekuestruar vetëm një pjesë të këtij dokumenatacioni, i cili në një moment të dytë do t’i nënshtrohet një ekspertize, për të hequr dyshimet nëse jemi përpara një falsiteti. E teksa prokurorët kishin mësyrë në zyrat e FSHF-së, në Tiranë ka mbërritur një delegacion i UEFA-s, i cili do të monitorojë procesin zgjedhor në këtë institucion. Ata kanë kërkuar informacion të imtësishëm për proceset zgjedhore që janë zhvilluar në shoqatat rajonale. (mcn)