Vendimi për herë të parë i një gjykate për të pezulluar zgjedhjet e FSHF-së ka lënë në ajër këtë të fundit. Ndonëse pa patur një vendim të formës së prerë në lidhje me zgjedhjet e shoqatave të futbollit asnjë zgjedhje për president nuk do jetë e ligjshme, FSHF është e bindur për t’i mbajtur ato më 2 mars.
Madje fill pas vendimit të gjykatës FSHF njoftoi se i ka vënë në dispozicion anëtarëve materialet zgjedhore të 2 marsit. Jo vetëm kaq por Armand Duka, presidenti aktual që pretendon një mandate të 6, lançoi strategjinë e tij për 4 vitet e ardhshme. Në fjalimin e tij për të ardhmen Duka iu referua një udhëzuesi me 10 pika të UEFA-s, por çuditërish njërën e neglizhoi, pasi bëhej fjalë për kufizimin e mandateve, që shumica e Europës nuk e ka më shumë se 2.
Të gjitha këto detaje tregojnë se FSHF është e bindur për të mbajtur zgjedhjet, madje me bindje kanë deklaruar se nuk i njohin vendimet e gjykatës, por nga ana tjetër kjo pritet të ketë pasoja. Armand Duka mund të përfundojë në burg pasi në kodin penal, neni 320/a thotë se “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi penal ose civil të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose çdo interes tjetër të dhënë ose të premtuar, si dhe për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Ky vendim gjykata nuk është i vetmi kundër FSHF-së, pasi gjykata e Tiranës njeh si kryetar të shoqatës së Tiranës Eduard Prodanin, ndërsa federata është e bindur të pranojë në asamblenë zgjedhore Krenar Alimehmetin.