Alma Demiraj, gazetarja e çështjeve sociale në Top Channel, ka raportuar për situatën e pandemisë së Covid-19, që nga momenti kur u konfirmuan rastet e para në vendin tonë.

Së fundmi, ajo ka rrëfyer vështirësitë e raportimit për një situatë që askush nuk e dinte si do të vazhdonte.

Ajo është një nga gazetaret që ka guxuar të hyjë edhe në ambientet e brendshme të spitalit Infektiv, aty ku as familjarët e të prekurve nuk lejohen.

Gazetarja mes lotësh tha se goditjen më të madhe e ka marrë kur për shkak të Covid-19 humbi prindërit.

“Kjo ishte goditja që mora më shumë. Për një vit e ca që raportoja, nuk e kisha ndjerë frikën.

Momenti që jam tronditur më shumë ka qenë shkurti. Edhe vetë profesioni na rrëmben, punojmë pa frikë, por në 21 shkurt unë humba mamin dhe 5 ditë më pas humba tim at”, tha ajo.

Më tej Alma Demiraj u shpreh se edhe pse e vështirë ajo vazhdon të raportojë nga oborri i Infektivit situatën e virusit në vend.

“Më thanë të mos shkoj në oborrin e Infektivit, por unë vendosa që të vazhdoj raportimin.

Vendosa të marr prapë mjekët që trajtuan time më dhe tim at deri në momentin e fundit…

Sepse jeta kështu qenka. Dhe do të vazhdoj ta bëj”, tha ajo.