BE-ja kufizon ndjeshëm importin e makinave hibride nga Kina. Pavarësisht marrëveshjes me Pekinin për një tavan importesh, Brukseli po përgatitet edhe për një përshkallëzim të mundshëm të mosmarrëveshjes tregtare.
BE-ja dëshiron t’u vijë në ndihmë prodhuesve të saj të automobilave dhe për këtë arsye po kufizon konkurrencën nga Kina. BE-ja ka vendosur të përgjysmojë importet e automjeteve hibride plug-in nga ky Kina. Në të ardhmen në tregun e BE-së do të lejohen të shiten në vit vetëm 350.000 automjete hibride plug-in nga Kina. “Kjo do t’i ulë me më shumë se gjysmën importet aktuale në Bashkimin Evropian”, tha një zyrtar i BE-së.
Makinat elektrike kineze shpesh më të lira
Që në fund të javës së kaluar Kina dhe BE-ja arritën një marrëveshje për kufizimin e importeve, por pa i bërë publike detajet. BE-ja druhet se makinat kineze mund të nxjerrin nga tregu prodhuesit evropianë, pasi ato ofrohen me çmime më të ulëta.
Për këtë arsye në vitin 2024 Bashkimi Evropian vendosi tarifa doganore shtesë për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë. Si pasojë eksportuesit kinezë e zhvendosën vëmendjen te automjetet hibride plug-in, shitjet e të cilave në Evropë janë rritur ndjeshëm.
Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian numri i automjeteve hibride plug-in kineze të shitura në BE mund të arrijë këtë vit në rreth 800.000.
Në të ardhmen autoritetet doganore të Bashkimit Evropian nuk do të miratojnë më importin e automjeteve hibride nga Kina sapo të arrihet kufiri vjetor i përcaktuar. Në vitin e parë ky kufi do të jetë 350.000 automjete, ndërsa më pas do të rritet me 6 për qind në vit. Pas katër vjetësh ky kufizim do të hiqet.
Masat e para konkrete për kufizimin e importeve të këtyre automjeteve pritet të hyjnë në fuqi në fillim të dhjetorit. Marrëveshja do të jetë e vlefshme për katër vjet.










