Në një lëvizje që vetëm pak javë më parë do të ishte e paimagjinueshme Gjermania njoftoi se do të angazhojë 100 miliardë Euro për një fond të posaçëm të forcave të armatosura dhe se do t’i rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen mbi nivelin 2% të PBB-së.
Një hap i tillë u kthye në dëshminë ndoshta më të qartë të faktit sesi lufta e Rusisë në Ukrainë po rishkruan politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në Europën e pas-Luftës së Dytë Botërore. kancelari Olaf Scholz shpjegoi përpara parlamentit vendimin e tij për të furnizuar me armë Ukrainën, duke thënë se “duhet ta mbështesim këtë vend në kohën kur ka nevojë të dëshpëruar për ndihmë”. Nuk ka përgjigje tjetër ndaj agresionit të Putinit, ishte komenti i tij.
Ishte presidenti rus që e zgjodhi këtë luftë, jo populli i Rusisë, kështu që të jemi të qartë të gjithë: Kjo është lufta e Putinit, shtoi prerazi kreu i ekzekutivit gjerman. Gjermania vendosi të dërgojë 1.000 armë anti-tank dhe 500 raketa tokë ajër në Ukrainë, e po kështu, Estonia dhe Holanda morën leje nga qeveria gjermane që të transferonin armë të prodhimit gjerman në vendin që përballet me tërbimin ris, leje kjo që më parë, u ishte mohuar. Duke hedhur një hap të tillë, Berlini përmbysi praktikisht parimin e tij të hershëm për të mos dërguar apo shitur armë në zona konflikti.
Nga ana tjetër, u njoftua një super modernizim i Bundeswherit. Scholz shpalli prioritet ndërtimin e tankeve të gjeneratës së ardhshme dhe avionëve luftarakë në Europë, në vend që të mbështeten tek importet nga përtej detit. Gjermania ka avionë Eurofighter Typhoon të porositur deri në 2030 por kancelari shtoi se së bashku me Francën, po thurin plane më të shpejta për lëvizjen e radhës, duke përfshirë kapacitetet e luftës elektronike, ndërsa po insiston të blejë dronë të armatosur Heron nga Izraeli.
Po kështu, do të zëvendesohen avionët e vjetëruar Tornado, të cilët kanë kapacitet nuclear. Praktikisht, thonë ekspertët, Vladimir Putini e detyroi më në fund Gjermaninë të shkundet e të kërkojë rolin e saj si fuqi globale!