Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Energjisë ka sqaruar në Komisionin Hetimor për Inceneratorët rolin e kësaj ministrie në procedurën e koncesionit të inceneratorëve. Gjiknuri shprehet se Ministria e Energjisë hyri në proces për shkak se iniciativa kishte të bënte edhe me prodhimin e energjisë elektrike, dhe nisur nga kjo dhanë edhe dakordësinë parimisht.

“Ministria e Energjetikës ka hyrë në këtë proces për shkak të një situata incidentale si rezultat i një produkti që kishte kjo kontratë koncensionare, për shkak të rolit që ka ministria për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Energjetikës hyri se për shkak të propozimit që kishte ardhur nga Ministria e Mjedisit me investitorët në fjalë që u bënë koncensionarë ishte parashikuar që një produkt derivat final është edhe rikuperimi dhe çlirimi i energjisë. Në momentin që ka vlerë ekonomike dhe do futet edhe prodhimi i energjisë, u pyet Ministria e Energjetikës. Ministria e Energjetikës ka dhënë këtë përgjigje: Shprehemi dakord duke sqaruar se përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejta e autoritetit kontraktor pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve ligjore të kërkuara. Unë si ministri, kur mora dijeni që ka një iniciativë të tillë dhashë ok në parim se më pëlqente faktit që Shqipërisë do i shtohej dhe një burim i ri i prodhimit të Energjisë Elektrike”, tha Gjiknuri.