Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, shoqëruar nga Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Romina Kuko dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar Toni Gogu zhvilluan një vizitë zyrtare dy ditore në Berlin.

Në Ministrinë e Jashtme Federale ata takuan ambasadoren Susanne Schutz, Drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqinë, OSBE dhe Këshillin e Evropës. Një tjetër takim u zhvillua me Adis Ahmetovic, raportues për Ballkanin Perëndimor në Bundestag.

“Pata rastin ti njoh me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Reformat që kanë marrë hov, sidomos reforma në drejtësi, ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e vettingut. Njëkohësisht edhe për reformat e pritshme sikurse është ajo zgjedhore, ku shpreha edhe një herë gadishmërinë e mazhorancës për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, kompromiseve të nevojshme, me fokus përmirësimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e agjendës së integrimit”, u shpreh Gjiknuri.

Në ditën e dytë të qëndrimit, delegacioni i kryesuar nga z.Gjiknuri u prit në Bundestag nga tre drejtues të rëndësishëm të Grupit Parlamentar Socialdemokrat: përfaqësuesi për politikën e jashtme Nils Schmid; përfaqësuesi për Çështjet e Evropës Christian Petry dhe anëtari i Komitetit për Evropën Josip Juratovic.

“Pata rastin të diskutoj, sidomos në Komisionin e Bundestagut që mbulon çështjet e Europës Juglindore, dhe të elaboroj më thellë procesin e ‘Ballkanit të Hapur’; interesin që treguan përfaqësues të Bundestagut në lidhje me këtë proces; si edhe mora garancinë se shumë shpejt do të ketë një fazë të re të procesit të Berlinit. Mbase mund të ketë një emër tjetër, por e rëndësishme është se Gjermania do të ketë rol kyç në udhëheqjen e këtij procesi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është momenti i duhur me qeverinë e re gjermane, e cila e ka vënë në marrëveshjen e koalicionit, integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Procesi i zgjerimit është komplet natyral”, nënvizoi Gjiknuri.

Delegacioni u prit dhe në zyrat qendrore të Partisë Socialdemokrate nga Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Rainer Vogt dhe Këshilltari për politikat mbi Evropën Leonard Pledt. PS dhe SPD gjermane u angazhuan për të konsoliduar bashkëpunimin mes dy partive simotra dhe ndërveprimin për të promovuar vlerat e përbashkëta evropiane.

“Një pikë tjetër e rëndësishme është përgatitja e vizitës së Kryeministrit Rama në Berlin dhe takimi i tij me kancelarin Scholz dhe me udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Kjo vizitë do të rigjallërojë edhe një herë marrëdhëniet shumë të mira mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Duhet pasur parasysh roli pozitiv që ka luajtur Shqipëria, por njëkohësisht edhe përfshirjen shumë të fortë të Gjermanisë në procesin e udhëheqjes së gjithë Rajonit”, u shpreh Gjiknuri.

Z.Gjiknuri bashkëbisedoi edhe me Helene Kortlander, Drejtuese e Departamentit për Evropën Lindore në fondacionin Friedrich Ebert Stiftung. Palët u angazhuan për një plan veprimi të përbashkët mes FES dhe fondacionit “Qemal Stafa” ashtu sikurse për një rol të shtuar në marrëdhënien midis partive simotra socialdemokrate në rajonin e Ballkanit e më gjërë.