Nga Sokrat Hoxha/
Nisi të shthuret miti i endur nga krerët aktualë të Federatës Shqiptare të Futbollit se, dinastia e tyre, është e pacënueshme në krye të futbollit shqiptar. Madje, dhe se federatën do të mund ta trashëgojnë edhe pasuesit e tyre. Gjykata e Tiranës ka dhënë një vendim emblematik, duke e vlerësuar të manipuluar procesin e zgjedhjeve të 24 janarit për kryetarin e Shoqatës së Futbollit të Tiranës. Gjykata vendosi të njohë kryetar Eduard Prodanin, duke rrëzuar Krenar Alimehmetin, i cili u bë kryetar me mbështetjen e kreut të FSHF-së, Armand Duka, nëpërmjet një procesi të manipuluar në mënyrë flagrante. Padia u dorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në cilësinë e aksionerit të klubit të Tiranës.
Përse vendimi i gjykatës ka rëndësi të madhe?
Në fakt, vendimi ka nxjerrë zbuluar të gjithë skemën që u përdor nga kreu u FSHF-së Armando Duka, nga jugu në veri, për të manipuluar të gjithë procesin, për rizgjedhjen e tij në krye të FSHF-së. Delegatë anonim, media të zbuara nga sallat e votimeve, fshirja nga listat e votuesve dhe e drejtuesve të shoqatave, të cilët ishin kundër kandidaturës së tij, ndryshim të rregullave të lojës për garën për kreun e FSHF-së në mes të garës, ndryshime të pabëra publike dhe në errësirë të plotë të neneve në statutin e FSHF-së, vetëm në funksion të rizgjedhjes etj. Vendimi i gjykatës së Tiranës ka rëndësi të madhe sepse nga njëra anë zbardh skemën e manipulimeve të ideuar dhe vënë në jetë nga Duka, por nga ana tjetër, hap një kapitull të ri se FSHF-ja nuk është më një “republikë” më vete, por subjekt gjykimi dhe hetimi nga drejtësia.
Vendimi për manipulim duhet të pasohet nga hetimi
Gjithkush që ka pasur mëdyshje për Reformën në Drejtësi, tashmë ka filluar të kuptojë se kjo reformë ka filluar jo vetëm të japë frutet e para, por nga ana tjetër, po nis të çmontojë edhe “perandori” të krijuara brenda shtetit shqiptar, në të cilat deri dje as që mendohej se mund të depërtonte drejtësia.
Falë lidhjeve dhe flirteve me politikën, shtetarë të korruptuar, Armando Duka i’a ka dalë që për afro 16 vite, ta mbajë drejtësinë larg, si dhe të sigurojë sundimin e tij në FSHF, nëpërmjet procesve të manipuluara, rryshfeteve, si dhe korruptimit serial të jo pak mediave. Ai ishte kthyer në mit të paprekshmërisë. Një Don i vërtetë në drejtimin dhe menaxhimin e futbollit shqiptar, duke e kthyer atë në portofol të tij personal, për ta mbushur me miliona euro. Paraja për mua mbi të gjitha! Kjo devizë e tij në krye të FSHF-së, ka bërë që nën drejtimin e Dukës dhe një rrethi të ngushtë njerëzish besnik të tij, mjaft talente të humbasin, miliona euro investime nga buxhetet e familjeve shqiptare për të investuar tek fëmijët “të shkrihen si bora në diell”, pasi po nuk e pagove Dukën dhe klanin e tij të mbyllen të gjitha dyert. Dhjetra fusha futbolli të lëna në mëshirë të fatit etj.
Një panoramë e zymtë e cila në rastin më të mirë do të duhej të bënte që Duka të jepte dorëheqje, ose në rastin më të keq të jepte llogari ligjore. Vendimi i gjykatës së Tiranës është një mundësi e madhe që Dukës jo vetëm t’i fillojë t’i shkërrmoqet skema e manipulimeve dhe e falsifikimeve, por edhe të përballet me një process penal hetimi për ngritjen e kësaj megaskeme, të cilën e ka zbatuar thuajse në të gjithë vendin. Një seri padish janë depozituar nëpër gjykata, në të cilat denoncohet skema e zbatuar në Tiranë për falsifikimin dhe manipulimin e procesit të zgjedhor brenda shoqatave.
Mjafton të kujtojmë se një komisioner zgjedhor, për një manipulim sado të vogël, rrezikon deri në 5 vite burg, ndërsa Duka dhe klani i tij, t’ia hedhin “pa i hyrë gjemb në këmbë”, ndonëse kanë ndëruar një megaskemë manipulimesh. Eshtë e vështirë të shembësh një “perandori”, siç është FSHF-ja, që në dukje duket e paprekshme, por korrupsioni, rryshfeti, falsifikimet dhe manipulimet flagrante, nepotizmi, prej kohësh kanë filluar të gërryejnë të ashtëquajturat themele mbi të cilat mbahet ende në këmbë FSHF. Dukën po e mbyt krijesa që vetë e e përçudnoi. Ai duhet ta ketë një vend në “tribunë”. Por këtë vend tashmë duhet ta ketë në bankën e drejtësisë. Gjykata foli. Tani e ka radhën hetimi.