Zgjedhjet në FSHF janë në qendrën e vëmendjes të mbarë opinionit sportiv. Që prej ditëve të para të vitit, kur filluan edhe zgjedhjet brenda shoqatave rajonale të futbollit, situata sa vjen edhe nxehet më shumë, çka detyroi edhe vetë presidentin e UEFA-s, Ceferin, të kalonte për një vizitë në Tiranë, teksa mbajti edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.
Pak ditë më përpara, Gjykata e Tiranës nëpërmjet një vendimi ka rrëzuar asamblenë zgjedhore që pritej të zhvillohej më 2 mars, duke pezulluar Komisionin e Verifikimit dhe vendimin e Komitetit Ekzekutiv.
Megjithatë, nga ana e FSHFsë ka pasur njëfarë insistimi për të zhvilluar zgjedhje, çka e tregoi edhe me dërgimin e materialeve të asamblesë, anëtarëve që do të marrin pjesë. Aktualisht ka një lloj diskutimi dhe pakënaqësie nga ana e federatës, pavarësisht se nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar sa i përket vendimit të gjykatës për pezullimin.
Natyrisht është e drejta e tyre që të mos pajtohen me vendimin dhe ta çojnë në shkallë të tjera gjykimi, sepse jemi në demokraci dhe kjo gjë është krejtësisht normale. Ekziston një lloj pretendimi nga FSHF-ja, që përse çështjet e futbollit duhet të çohen dhe të ndiqen nëpër dyert e gjykatave, por nga ana tjetër, kur i kanë interesuar vendimet e gjykatave, FSHF-ja ka heshtur.
Për çfarë bëhet fjalë? Po flasim për rastin, që kur i ndjeri Bashkim Fino kandidoi në vitin 2018 për postin e presidentit të FSHF-së, gara dhe situata ishte po kaq delikate.
Gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe në përfundim të tij, ai deklaroi se kemi 12 shoqata të paregjistruara në gjykatë që kanë votuar dhe i kanë kushtuar atij humbjen.
Fino për këtë gjë bëri edhe kallëzim në gjykatë, që këto shoqata, të cilat i gjithë opinioni e mori vesh se si u shpikën në momentet e fundit, të mos njiheshin nga gjykata dhe votat e tyre të dilnin të pavlefshme… Çfarë bëri gjykata? Gjykata e rrëzoi kallëzimin e Finos dhe i njohu ato shoqata.
Në këtë rast, Federatës Shqiptare të Futbollit i erdhi mirë për këtë vendim, dhe vazhdoi të funksiononte normalisht, duke marrë edhe mandatin e katërt në drejtimin e futbollit në vend. Ndërsa tani që po ndodh e kundërta, kërkohet që të anashkalohet një vendim gjykate, gjë që nuk ndodh.