Nga nesër (7 shkurt), Greqia planifikon të largojë kërkesën për test negativ të COVID-19 për udhëtarët e vaksinuar që hyjnë në këtë shtet.
Nga java e ardhshme, çertifikata e vaksinimit valide e BE-së do të jetë e mjaftueshme për të hyrë në këtë shtet, tha Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris.
Megjithatë, personat e pavaksinuar duhet të dorëzojnë një test negativ PCR të realizuar në 72 orët e fundit ose test të shpejtë antigjen në 24 orët e fundit kur hyjnë në Greqi.
Greqia kishte ndërmarrë masa të reja që përfshin kërkesën për test negativ për koronavirus për udhëtarët në dhjetor të vitit 2021.
Ky vendim ishte kritikuar nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian në atë kohë.
Ndërkohë, Suedia do të heqë pothuajse të gjitha masat kundër Covid në 9 shkurt: do të zhduken kufijtë e orarit për bare dhe restorante; kufiri për numrin e pjesëmarrësve në evente; çertifikata e vaksinimit dhe rekomandimi për mbajtjen e maskave në transportin publik.
Kryeministrja e vendit Anderson u shpreh para gazetarëve se pandemia nuk ka përfunduar por po fillon një fazë e re. Ajo shtoi se informacionet rreth Omikron janë të shumta dhe të përditësuara, dhe studimet tregojnë se ky variant shkakton sëmundje më pak të rënda.
Por do të mbetet ende në fuqi rekomandimi për të qëndruar në shtëpi nëse ka simptoma të Covid-19 dhe kontrollet e rrepta në kufi për personat që vijnë nga jashtë. Personave të pavaksinuar iu këshillohet që të shmangin grumbullimet. Rikthimi në punë, në zyra, do të fillojë gradualisht, si dhe hapja e shkollave të mesme dhe universiteteve.