Me rastin e një përvjetorit të humbjes së Profesorit, poetit, shkrimtarit, këngëtarit, aktivistit arbëresh, autori i 11 veprave letrare, krijuesi i sitit parë on line “Arbitalia”, Giuseppe\Zef\ Pino\Cacozza, del në qarkullim libri “I them Botës Jam Arbërsh”.
I nisa kërkimet e mia mbi biografinë dhe artin e tij menjëherë pas periudhës së humbjes së tij,i diagnostikuar me polmonite idiopatica, më 20 shkurt 2021.
Vdekja e Pinos preku jo vetëm shpirtrat e arbëreshëve, por edhe të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Gjatë gjithë jetës së tij Ai punoi për miqësinë, bashkëpunimin e popujve arbëror të shpërndarë nëpër kontinente, dhe mbajtjes gjallë të gjuhës,kulturës arbërore, për të cilën Pino thoshte: “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” (Kemi një kulturë që nuk mund të vdesë!)
“Nevoja e përkatësisë – thotë Pino – nuk duhet të lexohet në mënyrë sipërfaqësore si një fenomen regresiv i kthyer me një vështrim nostalgjik drejt një etnie të shkuar që lëngon, dhe dalëngadalë po shuhet, por si një domosdoshmëri e madhe për të kërkuar diçka më të thellë dhe më autentike të atyre rrënjëve, ngulitur rreth 600 vjet në një atdhe të dytë.
Në artin e Pinos :E bukura More, Duro zëmër duro, Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes, Ku vate moti, Mora mandollinen Mandulli, Valle valle, Këndomi bashkë, Jurendina na martohet, Petkat e të mirat tona, Kjo është festa më e madhe çë ka Arbëria, Ajde moj, Ish një vashes nd’atë lloxhet, E bukura vashës, Jemi gjaku i një zemre, U vinj e të kërkonj, zëmi vallen, Rrini mirë se jem’e vemi. Në tekstet e tij dhimbjet përshkojnë valët e detit, notojnë drejt gadishullit Italik, ngulen në vendbanimet, mbajnë emrin arbëresh, dhe rrëshqasin perla këmbënguljeje identiteti, lotë malli, për atë More e largët, atë copë toke, ku si një thesar ruajnë rrënjët e tyre.
Në veprën e Pinos nuk gjejmë “aventurën e kujtesës”, por rrëfimin “distancë-kohë” të zhytura në histori, në etnografi, në rapsodi, në rite dhe në gjuhë.
Shumë e goditur frazëa e tij: “Arbëreshi mund të jetë qytetar i botës, mund të jetë dhe bir i udhëtimeve, por arbërori nuk duhet të shëndërrohet më bir i emigrimit.”
Në vitin 2012, me rastin e Vitit të Ri, Pino për Arbitalia shkruan: Ata që përpiqen të ndalojnë Arbërinë e projektuar në të ardhmen janë gjithmonë të njëjtët: politikanët, egoistët, karrieristët, të eturit për pushtet dhe pasuri, vrasësit e ëndrrave dhe ata që u afrohen për interesa, për kotësi, për biznes të errët. Dashuria nuk luan me para, dashuria ime është, Arbëria.
Fjala e tij kryesore ishte: Koha, të cilën e konsideronte si faktorin kryesor për një “ringjallje të vërtetë”, një “Arbëri të Re”, me gjuhën, traditat dhe ritualet e saj.
Notat muzikore në vargjet e tij shndërrohen në një ngjyrë dëbore në diell, ngjyhen në blu, gri, të kuqërremtë të qiellit, trokasin në zemër si rozario fildishi, e fjasin në gjuhën e mëmës.
Arbëreshët janë modeli më i mirë i integrimit- thotë Pino- Arbëreshi nuk i mbyll kurrë dyert. I kemi mbajtur gjithmonë hapur, sepse vet ne jemi një etni e emigruar. Të gjitha kulturat janë të bukura. Mua më pëlqen kultura italiane, se jam Arbëresh. Por jemi edhe gjak i fortë dhe këtë e tregon se jemi 600 vjet që rrojmë, durojmë, rezistojmë. Arbëreshi është resilient. Ne arbëreshët jemi për integrim, por jo për homologim.
Kur bijëvet “i pritet dhe i këputet gjuha, atje dega u tha dhe lisi zë e kalbet”-thoshte Pino- Problemi s’është mësimi i gjuhës arbëreshe, po është se ndë shpi e mbrënda te familjet tona s’foljen më arbrisht. E jëma, arbëreshe, dhe i jati, arbëresh, te shpia tire s’foljen më arbrisht, e nëng trazmitirjen më nè mësimet e tire, nè mësimet e atravet e tire. S’foljen më shqip, sepse te zëmra tire dhe te shpirti i tire u tha dhe u kalb rrënja. Dhe kështu Arbëria s’bën më lule në pranverë si më përpara, e s’këndon më .
Cikli: “Udhëtimet e Arbërisë”, “Rrënjat e Arbërisë”, “Dheu mbrënda”, recitalet muziko-teatrale “De Rada dhe Milosao” janë interpretime, që të përcjellin në epokë kur arbëria lulëzonte.
Në “Omazh për De Radën” Pino do të shkruante:
“Ku vajte Milosao që katundin më nuk çon.
Dheun më nuk njeh Dhe Arbëria vajton”
Pino Cacozza nderohet me shumë çmime:
Çmimin Mesdhetar për Art dhe Kreativitet 2009.
Presidenti Nishani dekoron zotin Giuseppe Cacozza me titullin “Naim Frashëri”,
Çmimi Cassiodoro, 3 shtator 2017.
I dashur Pino, kujtimet në gjoks mbledhim, për kohën që ti na rrëfeve për këtë arbëri, kjo burbuqe e egër, që nuk kërkon të asimilohet, por që po lëngon, me me shpirtin e sakrificës t-iu resitojë shekujve me me gjuhën e saj, ritin e saj.
Ne jemi 500 vjet storia e kallo nder duar, –
Jemi shpia e bënë me djers-
E tue kënduar na jemi buka te tryeza, lulja te muri..
Jemi dielli nde vere, nde dimer jemi bora
Pino iku i heshtur, me flatra të arta, nën notat e një “Nabuko” të një Arbërie, që ai i këndoi me aq shumë dhimbje por aq edhe me aq dashuri.