Ilir Meta është shprehur sot se deklaratat e tij për sfurqet dhe prerjen e duarve gjatë fushatës kanë qenë metafora dhe alegori, të cilat sipas tij janë nxjerrë nga konteksti, nga propaganda e partisë në pushtet.
“Kjo pyetje (e Gjykatës Kushtetuese) mund të jetë e influencuar nga pasojat e propagandës së partisë në pushtet.
Metaforat, alegoritë mund të ishin diskutim interesant për gjuhëtarët dhe jo anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Fushata elektorale u tensionua edhe me humbje jete, si rasti i Elbasanit. Ishte vetëm presidenti që mbajti qëndrime për të dekurajuar këtë përshkallëzim dhe për të vënë në lëvizje institucionet të veprojë.
Edhe në provokimin e Fierit, presidenti u kërkoi kandidatëve të LSI të mos binin pre e partisë në pushtet dhe ta tejkalonin atë moment me urtësi.
Keqkuptimi i qëllimshëm apo pa dashje, vjen nga zhvendosja e qëllimshme e termave nga konteksti. Ajo vjen nga ngatërrimi i kushtores me kushtrimin.
Sfurqet është përdorur në rastin e Fierit gjatë një konflikti konkret, duke iu referuar një ngjarje kur presidenti e ka përjetuar në 94-ën, kur gratë e Libofshës u detyruan të merrnin sfurqet.
Presidenti i ka përmendur sfurqet si mjete pune. Përse duhej të shqetësohej mazhoranca për sfurqet nëse ajo nuk do prekte asnjë votë në zgjedhje”, tha Meta./Tema