Tiranë, 8 Shkurt – Katër pajisje të reja Dexa të teknologjisë së lartë janë instaluar për herë të parë në spitalet publike. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin më të ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku deklaroi se investimet në flotën e aparaturave do të vijojnë gjatë këtij viti, në të gjithë vendin.
“Për herë të parë në sistemin publik në instalojmë 4 aparatura DEXA, apo aparatura të matjes së dendësisë kockore. Investuam këtu në QSUT, në spitalin e Vlorës, në spitalin e Shkodrës dhe gjithashtu në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, për të shtrirë shërbimin dhe për t’a bërë më të arritshëm, më të aksesueshëm për qytetarët”, tha Manastirliu, duke shtuar se këto investime në pajisje bio-mjekësore do të reduktojnë kostot nga xhepi të qytetarëve.
Gjatë vizitës saj në QSUT, Manastirliu tha se do të vijojnë investimet përsa i përket flotës së pajisjeve mjekësore edhe gjatë vitit 2022 me buxhetin e ri.
“Për vitin 2022 ne kemi parashikuar një investim madhor përsa i përket flotës tonë të pajisjeve mjekësore. Janë 6 milionë euro të cilat janë në dispozicion për rritjen e gamës së pajisjeve mjekësore. Një pjesë e këtyre pajisjeve janë të dedikuara për Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Unë jam e kënaqur që po ecim mirë përsa i përket gjithë investimit të madh për ndërtimin e këtij spitali. Nga ana tjetër paralelisht edhe me aparaturat që do të vijnë për këtë spital me buxhetin e 2022, por jo vetëm në QSUT, po në të gjithë Shqipërinë do të instalojmë pajisje të reja duke filluar nga 4 skanera që instalohen këtë vit, angiografin në QSUT, pajisjet X-Ray apo grafive, ekot, etj”, tha Manastirliu.
Duke folur për rëndësinë e investimit në pajisjet e reja bio-mjekësore, shefja e shërbimit të Reumatologjise, prof. Teuta Backa tha: “Jemi shumë të kënaqur për këtë investim. Ajo që ka vlerë dhe që unë kam insistuar të futej në QSUT është jo vetëm për osteoporozën primare por është edhe ostoporoza sekondare, e cila shfaqet në shumë patologji të tjera, pra jo vetëm në sëmundjet romatizmale por shfaqet edhe tek diabetikët, tek pacientët me probleme të tiroides, tek pacientët mbipeshë, tek pacientët me probleme hematologjike, onkologjike. Pra diapazioni, gama e përdorimit është shumë shumë e gjerë, është përtej reumatologjisë, kështu që është vërtetë një sukses dhe një arritje, gjithmonë në shërbim të pacientëve”, tha prof. Backa.
Investimi i qeverisë shqiptare për pajisjen e poliklinikave dhe spitaleve me pajisjen mjekësore për matjen e densimetrisë kockore për personat që vuajnë nga ostoporoza, është një investim në vlerën 15.4 mln lekë. Aparaturat e reja janë instaluar në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, në QSUT, Poliklinikat e spitaleve Vlorë dhe Shkodër. Dexa është aparat që përdoret për diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës, e cila ndodh më tepër te gratë mbi moshën 50 vjeç dhe në meshkujt mbi 60. Nga të dhënat e OBSH-së, 13%- 18% e grave pas moshës 50 vjeç kanë gjasa të vuajnë nga osteoporoza dhe 70% e moshës mbi 80 vjeç.
Home Lajme Aktualitet Instalohen 4 aparatura DEXA në spitalet publike, Manatirliu në QSUT: Investime madhore...