Nga Ardit Rada

Gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike dhe disa media ngritën akuzat se Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte zhvilluar një tender me kosto marramendëse dhe në konflikt interesi.

Sipas PD, në tenderin për shërbime konsulence ku parashikohet krijimi i një menuje tradicionale me vlerë 500 milionë lekë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përzgjedhur si fituese, kompaninë në pronësi të kuzhinierit të punësuar në restorantin e djalit të drejtorit të FSHZH-së, Dritan Agolli.

Por si qëndron e vërteta pas kësaj akuze? JavaNews hulumtoi në detaje mbi tenderin në fjalë, duke zbuluar të dhëna që rrëzojnë pretendimet e opozitës. Sipas këtyre të dhënave Alfio Rotani, emër i njohur në fushën e kulinarisë, kompania e të cilit fitoi tenderin nuk ka punuar kurrë si shef kuzhine në restorantin e djalit të Dritan Agollit, drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

JavaNews aksesoi listën e punonjësve të deklaruar sipas ligjit në organet tatimore nga Maji 2021 deri në Janar 2022 nga biznesi i djalit të Agollit. Në listë përfshihet i gjithë stafi i kuzhinës në çdo kohë, pa patur asnjë shkëputje në restorant, por jo emri i Alfio Rotanit.

Sipas burimeve, djali i Dritan Agollit, një i ri i shkolluar jashtë vendit për manaxhim, mikpritje dhe turizëm, pasi punoi si manaxher në trajnim në “Trump Golf Resort” në Miami të USA, kthehet në vendlindjen e tij dhe hap një sipërmarrje që përfshin dhe një bar restorant, përpara 1 viti.

Si çdo start-up, ai ka marrë konsulencë nga profesionistë, që kanë më shumë njohuri në këtë fushë në Shqipëri. Këtu përfshirë dhe z. Alfio Rrotanin, një emër shumë i njohur mbi konsulencat në fushën e kulinarisë, mediave dhe emisioneve të kësaj fushe. Alfio Rotani ka dhënë konsulencën e tij për vetëm disa ditë në qershorin e vitit të shkuar, kur është hapur bar restoranti i djalit të Agollit. Kjo e vërtetuar dhe nga datat e dy fotove promocionale që janë publikuar në rrjetet sociale të restorantit.

Pra kështu bie pretendimi i parë, për konflikt interesi në përfitimin e tenderit.

Së dyti, tenderi i fituar brenda procedurave të rregullta ligjore nga kompania e Alfio Rotanit pranë FSHZH, duhet sqaruar se nuk ka të bëjë vetëm me përgatitjen e një menuje ushqimesh.

F.SH.ZH.-ja, përfshiu në Programin e Zhvillimit të 100 Fshatrave dhe ndërhyrjen për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal dhe menunë e 100 Fshatrave, që konsistonte në disa komponentë, mes të cilave:

-Analiza e traditës së historisë së gatimit në të gjitha zonat që përfshihen 100 Fshatrat dhe identifikimi i të gjitha bujtinave dhe restoranteve aktuale, si dhe menutë e ofruara prej tyre;

-Hartimi i menusë që përfshin menunë për ushqimin, pijet dhe ëmbëlsirat, për të treja vaktet ditore, për sezone të ndryshme, në të gjitha krahinat ku shtrihen 100 Fshatrat e Shqipërisë.

-Përgatitja e një dokumentari promocional për rrugëtimin dhe procesin si është përgatitur kjo menu, që duhet të transmetohet në kanalet dhe rrjetet sociale të ndryshme.

-Produkti i katërt është botimi i menusë së 100 Fshatrave dhe përgatitja e materialeve dixhitale të mësipërme në format të lehtë për t’u shpërndarë dhe aksesuar.

-Komponenti i gjashtë është ngritja e kapaciteteve dhe trajnimi i të gjithë shefave/stafit të bujtinave dhe restoranteve, me disa nivele trajnimi dhe interesi.

-Gjithashtu, ngritja e një platforme online që do të shërbejë për publikimin dhe ngritjen e rrjetit të profesionistëve të këtyre zonave si dhe realizimi i një spektakli televiziv promocional për ofruesit e shërbimeve në këto zona dhe stafet e tyre, tip konkursi të shefave, që do të bazohet përgjatë procesit të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve.

Investigimi / Akuzat e gënjeshtra për tenderin e FSHZH-së mbi “menunë e 100 fshatrave”

JavaNews zbuloi gjithashtu se procedura e tenderit në fjalë ka qenë me dy faza. Faza e parë ka qenë mbi përzgjedhjen e një liste të shkurtër të kompanive pjesëmarrëse, ku në fund të kësaj faze kanë rezultuar dy pjesëmarrës dhe të dy këta janë kualifikuar nga komisioni i vlerësimit.

Faza e dytë ka qenë paraqitja e ofertave teknike dhe financiare, ku në bazë të ligjit kriteri Teknik vlerësohet me 80% të peshës dhe kriteri financiar me 20% të peshës. Në fund të procesit, oferta më e mirë e kombinuar, teknike dhe financiare, rezultoi ajo e BOE Mascarpone.

Pjesëmarrësi BOE që rezultoi në vendin e dytë, paraqiti një ankesë për vlerësimin, që nuk ishte në formën dhe në mënyrën e kërkuar nga ligji. Për këtë, nga ana e FSHZH-së iu bë me dije ky fakt dhe iu kërkua ta plotësonte dhe riparaqiste kërkesën në formën dhe mënyrën e duhur ligjore. Edhe pas afatit të vënë në dispozicion, BOE i renditur i dyti nuk e riparaqiti ankesën sipas kërkesave ligjore.