Ushqimet e skuqura shpesh konsiderohen një mëkat, ndonëse të vështira për t’ju rezistuar.
Por pavarësisht kësaj, të gjithë bien dakord që ushqimi është më i shëndetshëm kur gatuhet në avull, zihet, piqet ose përgatitet në zgarë.
Studimet shkencore kanë konfirmuar se skuqja e ushqimit rrit nivelin e yndyrnave dhe kalorive veçanërisht në rastet kur ushqimet lyhen me thërrime buke përpara skuqjes, skuqen në temperatura të ulëta, ose kur skuqni shumë ushqime në të njëjtën kohë në të njëjtën tenxhere.
Kjo e fundit, ul temperaturën e vajit dhe një gjë e tillë rrit sasinë e kohës që duhet për skuqjen e ushqimit.
Rrjedhimisht sasia e yndyrës e përthithur në ushqim gjatë gatimit, rritet ndjeshëm.
Yndyrnat dhe kaloritë tek ushqimet e skuqura rrisin rrezikun e shfaqjes së shumë problemeve shëndetsore.
Obeziteti
Ushqimet e pasura me yndyrna, kanë shumë kalori.
Një gramë yndyrë ofron 9 kalori, ndjeshëm më shumë se kaloritë e ofruara nga e njëjta sasi proteine apo karbohidrati.
Nëse hani ushqime të skuqura rregullisht, atëherë gjasat që të bëheni obezë ose mbipeshë janë shumë të larta.
Një studim i vitit 2013 i publikuar në revistën “Nutrition, Metabolism and Cardiovascular Diseases” zbuloi se konsumi i ushqimeve të skuqura më shumë se katër herë në javë rrit rrezikun e shfaqjes së obezitetit ndjeshëm më shumë në krahasim me ata që konsumojnë ushqime të tilla më pak se dy herë në javë.