Ivzi Hoxha ishte një prej protestuesve të sotëm që kundërshtoi projektin e ndërtimit të lagjes së re tek “5 maji”. Por edhe pse vetë ka një ndërtim pa leje, Bashkia e Tiranës i ka ofruar atij kompensim të plotë në banesë, bashkë me gjithë dokumentacionin e plotë të pronësisë që e legjitimon atë si pronar të ligjshëm tashmë.
Hoxha aktualisht është posedues i ndërtimit të klasifikuar si ndërtim pa leje, me sipërfaqe ndërtese banimi 505.0 (pesëqind e pesë) m2. Sipas kontratës e cila është bërë gati nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe pret vetëm firmën e Ivzi Hoxhës te njësia bashkiake, Hoxha do të përfitojë kompensim të plotë, pra po 505.0 m2, në pallatet e reja që do të ndërtohen aty të projektuara nga një prej arkitektëve më të mirë në botë sikurse është Boeri.
Jo vetëm kaq, por tashmë Hoxha do i ketë banesat e reja që do të përfitojë në pallatet që do ndërtohen me certifikata pronësie çka e bëjnë atë pronar të ligjshëm dhe që mund t’i shesë apo t’i trashëgojë pronat që do marrë. Ndërkohë, gjer në marrjen e çelësave të banesave të reja, familja e tij do të marrë edhe bonus qiraje nga ana e Bashkisë së Tiranës.