Mark Deda është një nga protestuesit e “5 majit” sot para Kuvendit dhe Ambasadës Amerikane me justifikimin se shteti e ka nxjerrë në rrugë pa i dhënë asgjë. Por e vërteta rezulton krejt ndryshe.

Nga një verifikim në Bashkinë e Tiranës, rezulton se Mark Deda nuk do të humbasë asnjë metër katror nga shtëpia e tij, ndonëse banesën aktuale e ka të palegalizuar dhe pa asnjë letër pronësie.

Mark Deda ka pasur 103 metra katror në banesën e vjetër, në proces legalizimi, për shkak se e ka ndërtuar pa leje. Ndërkohë, në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria në shtator, VKM 533, Mark Deda sipas Bashkisë së Tiranës, do të përfitojë po 103 metra katror, njësoj sa ka pasur në shtëpinë e vjetër, por tashmë do ta ketë të legalizuar, me letra të rregullta, të cilën mund ta trashëgojë apo ta shesë sipas vullnetit të tij.

Aktualisht, dokumentacioni i Mark Dedës ndodhet pranë njësisë administrative nr.8 dhe pret vetëm firmën e tij për të nënshkruar kontratën. Jo vetëm kaq, por gjer në marrjen e çelësave të shtëpisë së re, Mark Deda do të përfitojë edhe bonusin qiraje nga Bashkia e Tiranës.