Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, bëri të ditur se Shqipëria ashtu siç e ka shprehur që ditën e parë, vijon të jetë në mbështetje të Ukrainës dhe ndodhet pranë shteteve të Aleancës.
Rama tha se arsyeja e mbajtjes së kësaj konference të jashtëzakonshme për mediat është diskutimi rreth rreziqeve që i paraqiten shtetit shqiptarë nga kjo luftë, ku Shqipëria renditet ndër vendet që ka më pak varësi ekonomike dhe tregtare me Rusinë dhe Ukrainën.

Rama tha se: “Ne i ndjekim me shumë keqardhje këto zhvillime, duke pasur në zemër dhe mendje njerëzit ukrainas dhe lidershipin ukrainas që kërcënohet drejtpërdrejtë për jetën. Sot në Samit është kokretizuar një punë dhe komunikim aktiv që kemi pasur gjatë ditëve dhe netëve të kaluar. Ndikimet e kësaj lufte për Shqipërinë, e cila nuk ka, si shumë nga vende të tjera të NATO-s varësi të natyrës ekonomike dhe tregtare nga Rusia, por sidoqoftë nuk është krejt pa lidhje, qoftë me Rusinë qoftë me Ukrainën. Sot është më e qartë sesa dje, ajo që ka filluar të ndjehet muaj më parë me krizën e çmimeve të energjisë, me rritjen eksponeciale të gazit, apo rritjen e shpejtë të çmimit të naftës, që i ka pararendur këtij momenti si një erë drithëruese në shpinën e shteteve, ku ndërkohë ka një valë të inflacionit sugjeruar me një rritje çmimesh të tërësi, si një pasojë e rikthimit të aktivitetit ekonomik pas mbylljes dhe shtrëngimit nga pandemia. Ne jemi ndër vendet shumë të pakta që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë. Në të gjitha komunikimet që kam pasur më kolegët, çështja themelore ka qenë ajo e rritjes së çmimeve të energjisë që në vendet fqinje, si në Kosovë, Greqi dhe Itali ka ndikuar shumë fortë në faturën e shpenzimeve të konsumatorëve familjarë dhe biznesit.”

“Ne jemi zotuar që do të bëjmë çmos për ta mbajtur nën kontroll çmimin e energjisë, sepse jemi të vetëdijshëm për efektin që ai ka. Për këtë kemi bërë një ndryshim rrënjësor të skemës së trajtimit të eksportit të energjisë dhe deri tani kemi arritur t’ia dalim, që vjen nga një sforco realisht e madhe nga ana e qeverisë” shtoi Kryeministri.