Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar kontroll në tre IEVP, ku janë gjetur playstation të përshtatur për komunikim dhe lëndë narkotike.
“Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e sendeve të ndaluara në IEVP, Peqin, Korçë dhe Elbasan”, thuhet në njoftimin e MD.
“Operacioni, ku kanë qenë të përfshirë 8 grupe operacionale, është kryer në datën 1-2 Shkurt në fashën orare 21.00 deri në 05:45. Janë kontrolluar 11 dhoma në IEVP Elbasan në Godinën A dhe B, 13 dhoma në IEVP Peqin dhe 14 dhoma në IEVP Korçë”, thekson MD.
“Në përfundim të kontrollit janë konstatuar këto sende të ndaluara: Një orë e dyshuar si celular, dy playstation 3 të dyshuar që përdoren si mjete komunikimi, dy qese plastike me pluhur të bardhë dyshuar për substanca narkotike”, shton MD.
“Materialet i janë dorëzuar për vazhdimin e veprimeve hetimore oficerëve të SHKKB dhe Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Elbasan”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.