Kremlini ka mbrojtur sulmin e tij ushtarak ndaj Ukrainës përballë kritikave ndërkombëtare, por ka mirëpritur propozimin për dialog nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Moska tha se oferta për bisedime lidhur me një status neutral për Ukrainën është një hap në drejtimin e duhur”, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Gjithashtu, Peskov tha se Moska pranon që Zelensky të jetë presidenti i Ukrainës.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje për mundësinë e vendosjes së kontakteve në këtë fazë. Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ulen në tryezën e bisedimeve për të ndaluar vdekjet.
“Dua t’i bëj thirrje edhe një herë presidentit të Federatës Ruse”, deklaroi Zelensky.
”Luftimet po zhvillohen në të gjithë Ukrainën. Le të ulemi në tryezën e bisedimeve për të ndaluar vdekjen e njerëzve”, tha Zelensky në Twitter.