Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca njoftoi sot se si asnjëherë më parë dita e sotme ka përfunduar me rreth 10 mijë aplikime në rang vend për Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi.

Ajo falënderoi nga Lushnja pasditen e sotme, në mbyllje të ditës së punës për zyrat e pranimit të aplikimeve, çdo fermer për besimin e treguar tek Programi Kombëtar i Mbështetjes dhe çdo punonjës të skuadrës së bujqësisë që u angazhua në 79 pikat e aplikimit në të gjithë vendin.

Krifca u shpreh se janë mundësuar 1 mijë aplikime në Lushnjë.

“Kemi pritur çdo fermer që të marrë shërbimin dhe ky numër është shenjë besimi e fermerëve dhe kërkesë për financim prej tyre. Ne do të jemi deri në 25 mars për të pritur aplikimet tuaja që të merrni financimin e duhur”, iu drejtua Krifca fermerëve.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural hapi më 25 shkurt thirrjen për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2022. Fondi në skemën kombëtare për këtë vit llogaritet 3.2 miliardë lekë ku përfshihet edhe fondi i garancisë si dhe skema e naftës.
Fluksi i aplikimeve solli ditën e parë të çeljes së thirrjes mbingarkesë në sistemet elektronike të serverave të sistemit e-Albania, problem që u tejkalua.