Skema Kombëtare e Mbështetjes në bujqësi është këtë vit është më e madhja në financimet direkte për fermerët aplikantë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një takimi sot, me fermerët e njësive Fiershegan, Allkaj e Krutje në Lushnjë, për t’i informuar ata mbi Skemën Kombëtare, tha se “kemi rritur këtë vit buxhetin në mbështetje të bujqësisë edhe pse nevojat paraqiten më të mëdha. Janë 3,2 miliardë lekë në mbështetje të bujqësisë, janë 1 miliard lekë që mbështesin skemën e naftës falas për fermerët që ka pasur një përfitueshmëri të lartë në shifra dhe që synojmë ta rrisim të tej edhe në sektorin e ullishtarisë etj”.
Krifca vuri në dukje se, takimet me fermerët i shërbejnë ecurisë më të mirë të punës mbi nevojat që paraqet sektori, duke i përfshirë problematikat në politika mbështetëse për fermerin dhe zhvillimin e bujqësisë.
“Serrat do të kenë një vëmendje të rëndësishëm këtë vit. Jam këtu që të shohim edhe një model të serrës që është ndërtuar me mbështetjen e IPARD. Por ne do ta mbështesim me Skemën Kombëtare edhe ngritjen e serrave diellore duke i financuar fermerët me 50% të kostos totale të investimit. Gjithashtu mbështesim edhe prodhuesit në serra në dy drejtime: të lehtësohen kostot e prodhimit për fermerët, sepse janë rritur si pasojë e konjukturave të çmimeve ndërkombëtare, si dhe të incentivohen fermerët për të koordinuar prodhimin e tyre me qëllim rritjen e fuqisë negociuese në momentin e shitjes”, deklaroi ministrja.
Krifca theksoi se struktura e bujqësisë shqiptare është shumë e copëzuar dhe ajo që mund të ndihmojë fermerët është bashkimi i tyre në shitje të produktit për të fuqizuar ofertën, me parimin “prodhojmë vetëm dhe shesim bashkë”, për të qenë mjaftueshëm të fuqishëm përballë tregut.
Ministrja u bëri gjithashtu thirrje të gjithë fermerëve që të marrin faturat kur blejnë produktet e tyre për të përfituar mbështetje nga shteti por dhe për të qenë të sigurt mbi produktet që përdorin.