Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një takimi që zhvilloi sot, me fermerët në Barbullinjë të Lushnjes, u ndal në procesin e aplikimit dhe përfitimet nga Skema Kombëtare e Mbështetje në Bujqësisë 2022.

“Hapim shumë shpejt brenda këtij muaji aplikimet në Skemën Kombëtare, që ka në fokus mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve, për uljen e kostove të prodhimit nëpërmjet skemës së naftës pa taksa, por edhe për inputet bujqësore”, tha Krifca.

Sipas saj, 19 mijë fermerë përfituan vitin e kaluar nga skema e naftës pa taksa dhe këtë vit duam ta shtojmë numrin e përfituesve.

Gjatë diskutimit me fermerët, ministrja Krifca shpjegoi kategoritë e përfitimit, duke u bërë thirrje fermerëve të aplikonin për të përfituar dhe zgjeruar hapësirat e serrave të tyre, të përfitonin nga skema e naftës, nga subvencionimi për inputet, nga projekti për bashkimin në shitjen e produkteve për të forcuar zërin e tyre në tregje, si dhe për të rritur produktivitetin dhe më të përgatitur për eksporte.

Ministra foli për platformat mbi shitjen e produkteve në bashkëpunim me pushtetin lokal, të cilat do të ndihmojnë fermerët ta kenë një treg ku të drejtohen për prodhimet që kultivojnë.

“Së bashku me bashkitë, të cilat kanë një rol shumë të madh, duam të hapim plaforma të reja të shitjes së produktit, tregje ku fermerët rrisin fuqinë e tyre”, u shpreh Krifca.

Me tej ministrja e Bujqësisë u bëri thirrje fermerëve të formalizohen, të marrin faturat për produktet që blejnë, qofshin fara, fidanë apo inpute në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionimet.

“Është e rëndësishme që ta bëni aplikimin që në fillim. Mos humbni kohë! Edhe për naftën, edhe për serrat, edhe për inputet, mbani faturën me vete!”, u shpreh ministrja.

Aplikimet per Skemën Kombëtare 2022, më e madhja e miratuar nga qeveria shqiptare, nisin brenda muajit shkurt.