I ftuar në Voice of America, Kryeministri Rama u pyet lidhur me luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Kryeministri theksoi se: “Prania e korrupsionit në sistemin tonë është e padiskutueshme, nuk vihet në pikëpyetje.
Lufta kundër korrupsionit që ne kemi organizuar është pa diskutim një luftë që e ka takuar korrupsionin në mënyrën e duhur dhe ne jemi angazhuar duke marrë përsipër reformën në drejtësi dhe nga ana tjetër kemi marrë përsipër të transformojmë të gjithë sistemin e shërbimeve. Sot, po të bëjmë një krahasim të thjeshtë mes kohës së shpenzuar nga qytetarët shqiptarë dhe pamundësisë për të marrë shërbime në kohën dhe cilësinë e duhur, krahasuar me disa vite më parë, nuk ka të krahasuar.”

Rama shtoi se lufta kundër korrupsionit do kohën dhe durimin e vet.

“Lufta kundër korrupsionit është modernizim, është shtetndërtim, është krijim sistemesh të cilat garantojnë shërbimin në kohën e duhur, të gjitha proceset e zbatimit të vendimmarrjeve në kohën e duhur dhe e eleminojnë korrupsionin si alternativë. Pra është një luftë që kërkon kohën dhe durimin e vet” tha Kryeministri.

Ndërsa, i pyetur lidhur me raportet e herëpasherëshme që e rendisin Shqipërinë në krahasim me vende të tjera të botës, për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Kryeministri Rama tha: “Kjo është çështje metodologjish, çështje indeksimesh që bëhen bazuar në metodologji të ndryshme dhe për hir të së vërtetës kam mësuar bashkë me eksperiencën, mos t’i marr të mirëqëna deri në fund këto indekse që publikohen. Unë nuk pranova që nuk vihet në dyshim që korrupsioni është një problem dhe është sfidë sepse ne ende nuk kemi një shtet modern të mirëorganizuar në të gjithë elementët e vet. E për sa kohë mungon kjo, për aq kohë sistemet janë të penetrueshme nga forca e korrupsionit, ajo që po thoja është që unë të gjitha këto i marr me rezervë, boll të shohim çfarë ndodhi me raportin “Doing business”, një raport i cili u pezullua edhe nga vetë financuesi i tij i drejtpërdrejtë, Banka Botërore, sepse rezultoi një raport i influencuar me korrupsion”.

Pyetur nëse mund të bëhej më shumë për luftën ndaj korrupsionit, Kryeministri deklaroi: “Gjithmonë pritet më shumë prej qeverisë për çdo gjë, kudo dhe kjo është krejtësisht e natyrshme dhe nuk ka si të jetë ndryshe.”

Ndërsa lidhur me inceneratorët dhe koncesionet e dyshimta, që nuk ndalohen nga strukturat e qeverisë, Kryeministri tha se nuk mendon se qeveria nuk ndërhyn. Sipas tij janë dy procese të ndryshme, një proces në shërbim të komunitetit dhe shëndetit dhe tjetra veprime të dyshuara të personave të caktuar të cilët mbajnë përgjegjësi individuale.

Pyetur nëse është i shqetësuar se mund të dalin ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë në këtë aferë, ai tha se nuk shqetësohet pasi për këtë arsye është reforma në drejtësi, që nuk mban anë as të majtë, as të djathtë dhe se beson se përgjegjësia është individuale për secilin.