Shqipëria nuk duhet të shqetësohet, për sa kohë jemi anëtarë të NATO-s, the Kryeministri Rama në konferencën e mbajtuar pas Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s.

Kryeministri tha se NATO dhe Shqipëria janë në koordinim me njëra-tjetrën, për t’i bërë ballë të gjitha situatave. Rama gjithashtu kujtoi se në Shqipëri u krye vitin e kaluar stërvitja më e madhe në Europë, realizuar nga NATO.

“Vitin e shkuar në Shqipëri u krye një stërvitje që ishte më e madhja e zhvilluar ndonjëherë në këtë pjesë të kontinentit Defender 2021, ku erdhën të gjitha vendet e NATO-s dhe kjo stërvitje do të kryhet dhe vitin e ardhshëm.

Ne e kemi pozicionuar me gjithë hapat që kemi hedhur në marrëdhëniet bilaterale me SHBA-të, me gjithë strategjinë që kemi ndjekur në ndërtimin e pjesës së sipërme të kësaj marrëdhënieje që ka qenë shumë e mirë dhe më parë, por që ka kaluar në një nivel krejt tjetër”.

Po ashtu Kryeministri shtoi se marrëdhëniet Shqipëri SHBA tani janë më të forta se kurrë, si dhe që vendi ynë ka një pozicion shumë strategjik për NATO-n, duke theksuar se fakti që kemi mbrojtjen e Aleancës duhet të jetë arsye për t’u qetësuar.

“Mos harroni që dokumentin e partneritetit strategjik me SHBA-të e firmosi kjo shumicë dhe Shqipërinë e kemi kthyer në pikë shumë nevralgjike të marrëdhënieve ushtarake bilaterale me SHBA-të dhe brenda vetë NATO-s, duke pasur në Shqipëri tanimë komandën amerikane të forcave speciale për Europën.

Komanda e forcave speciale për Europën në Shqipëri do të thotë që këtu ne jo që vetëm që nuk jemi vetëm, por jemi nga më të fortët të pranishëm, duke shtrirë bashkëpunimin në nivelin e infrastrukturës me bazën ajrore.

E fundit, besoj ju ka rënë në sy që para pak kohe këtu kishim në ujërat tona aeroplanmbajtësen Harry Truman, që është një aeroport ushtarak masiv në vete. Që do të thotë nuk kemi asnjë arsye të shqetësohemi nëse do të kemi apo nuk do të kemi kapacitet për t’u mbrojtur me të gjitha fuqitë e mundshme nga cilido, duke pasur në dispozicion arsenalin më të sofistikuar që ka sot bota, nuk ka asnjë dyshim”.

I pyetur nga gazetarët nëse rrezikon Kosova nga Serbia, në këtë situatë dhe a është situata e rrezikshme për Ballkanin, Kryeministri Rama tha se qëndrimi i Presidentit të Serbisë ishte në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës, duke e konsideruar “qëndrim tipik i dyzuar i politikës së jashtme të Serbisë”.

Sa i përket Ballkanit të Hapur, Kryeministri tha se ecuria e kësaj nisme pret, pasi duhet të shohim në vijim shumë gjëra, jo në raport me Serbinë, por duke konsideruar kushtet në të cilat ndodhet rajoni.
Kryeministri gjithashtu shtoi se qëndrimi i Ballkanit të Hapur nuk është të afrojë Serbinë me SHBA-të apo të mund të ndryshojë qëndrimin e Shqipërisë ndaj Moskës. Rama shtoi se Ballkani i Hapur mbështetet nga SHBA-të dhe shumë aleatë e partnerë.

Nga ana tjetër pyetur lidhur me mundësitë për t’u kthyer te Lufta e Ftohtë, Kryeministri Rama deklaroi se është ende herët për të dhënë një përgjigje në lidhje me këtë.