Nga Artur Ajazi

Asnjë prej partive politike, qoftë edhe ajo me 10 anëtarë, nuk e përjashton pushtetin, si synim dhe ëndërr të saj. Të gjitha marrin pjesë në jetën politike, kush më pranë dhe kush më larg lakmisë dhe mundësive, por të gjitha duan pushtetin. Pas përmbysjes së sistemit komunist, ne u mësuam me idenë se “pushtetin e fiton ajo parti që votohet”, por edhe me realitetin ndryshe se “pushteti të konsumon kur nuk di ta menaxhosh siç duhet”.

Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet në 1992, u konsiderua nga shumica e shqiptarëve si “një ndryshim rradikal në jetën e tyre”, pasi kishte nisur një kapitull i ri pas ndryshimeve politiko-sociale. Por ndodhi diçka tjetër, që askush nuk e kishte menduar. Lindën dhe u zhvilluan firmat piramidale, nisi shitja dhe shkatërrimi pronës publike dhe private, u krijua shtresa e pasanikëve me kollare, ku spikasnin politikanët. Ishin ata që morën dhe konsumuan pushtet, aq sa nuk ishin më në gjendje ta menaxhonin atë. Kjo ndodhi me Sali Berishën, kjo ndodhi edhe me Fatos Nanon. Por kjo nuk po ndodh me Edi Ramën.

Sekreti ? Menaxhimi ndryshe i pushtetit, votës dhe asaj ç’ka populli i besoi. Përgjatë periudhës 1992-1997, dhe 2005-2013, kur pushtetin e kishte Sali Berisha, asnjë deputet, ministër apo zyrtar i lartë shtetëror apo politik nuk u penalizua, nuk u arrestua dhe dënua. Kjo ndodhi edhe me Fatos Nanon, i cili arriti deri atje sa të shprehej se “nuk e përballoj më grykësinë e tyre”. E kishte fjalën për ata, që i afroi pasi mori pushtetin, i bëri ministra e deputetë, dhe nuk arriti ti ndalë dot, në babëzinë e tyre për të vjedhur dhe pasuruar. Në memorjen e çdo shqiptari, nuk regjistrohet asnjë rast kur, një ish-ministër apo deputet, ti është hequr mandati, të jetë hetuar, gjykuar dhe dënuar deri në 2013. Dhe kjo, jo vetëm pasi sistemi i drejtësisë ishte i kalbur 100 per qind, por kasta e hajdutëve, abuzuesve dhe të korruptuarve, kishte në çdo rast mbrojtje kreun e qeverisë, madje edhe kur kryheshin krime, si ato të 21 Janarit.

Edi Rama, e dinte këtë, e kishte prekur nga afër realitetin e ndotur të qeverisjeve të mëparshme, ndaj dhe nuk rreshti së kërkuari pikësëpari reformimin e krejt sistemit të drejtësisë, qysh ditën e parë që mori pushtetin. E nisi me bindje dhe forcë, dhe arriti të miratojë në Parlament (pavarsisht kundërshtive nga mëkatarët e politikës) reformimin e sistemit të drejtësisë, të nisë procesin e Vettingut, i cili solli jo pak, por largimin e qindra prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Edi Rama e ka deklaruar dhe vazhdon ta ripërsërisë “kush shkel ligjin, nuk do të jetë më pjesë e jona, dhe nuk do të ketë asnjë sekondë mbrojtje politike”. Vetëm pas 2013, në Shqipëri janë hetuar, arrestuar, dhe dënuar ish-ministra, ish-deputetë, zyrtarë të lartë, dhe në asnjë rast nuk u është afruar mbrojtje politike, përkundrazi. Menaxhimi i pushtetit, është kulturë por dhe “art” më vehte. Jo kushdo që mund të arrijë majat e pushtetit, ndahet nga abuzuesi, shkelësi i ligjit, pasi gjithmonë ka qenë pjesë e zinxhirit të kompromentimit korruptiv. Zhurma e madhe e opozitës mbi “çështjen e inceneratorëve”,ka patur në krahun tjetër qetësinë e kryeministrit Rama.

Asnjë pengesë dhe asnjë votë kundër, ngritjes së komisionit hetimor parlamentar mbi çështjen e inceneratorëve, përkundrazi mbështetje dhe inkurajim organeve të drejtësisë re, të zbardhin të vërtetën. Edi Rama, nuk është Sali Berisha, që merrte “nën sqetull” ministrat, zv.ministrat, drejtorët apo gardistët. Edi Rama nuk është as Fatos Nanon, që u dorëzua para lukunisë së atyre, që u bënë milionerë me postet dhe mandatet e pushtetit tij. Ky në fakt është dallimi, që bën diferencën mes Edi Ramës dhe atyre. Eshtë dallimi mes qeverisjeve haxhiqamiliste, që provuan në kurrizin e tyre shqiptarët, dhe qeverisjes që sot po provon me fakte, lindjen dhe funksionimin e shtetit ligjor, dhe integrimin dinjitoz në famijlen e madhe Europiane. Postulati i Edi Ramës ka qenë dhe mbetet “demokracia funksionon kur zbatohet ligji”, ndaj dhe arrin të menaxhojë në mënyrë perfekte pushtetin dhe votën e shumicës së shqiptarëve.