Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi e ftuar në emisionin “Breaking” të Top News tha se abetarja unike do të jetë gati në shtator të këtij viti për Shqipërinë dhe Kosovën.
Sipas Kushit, konteksti i ri social, kulturor, kurrikula e re e bazuar në kompetenca, si dhe revolucioni digjital që do të reflektohet siç bëhet në librat e rinj, bën të nevojshme një abetare të re të përbashkët.
Ajo shtoi se kjo abetare do të jetë jo vetëm një tekst shkollor më i mirë, por do të jetë një libër cilësor që duhet të ndodhet në bibliotekën e çdo familjeje.
Ministrja tha se aktualisht është përzgjedhur komisioni i përbashkët me 12 anëtarë dhe dy bashkëkryetarë, një nga Shqipëria dhe një nga Kosova. Konkursi për abetaren është shpallur dhe shtëpitë botuese po punojnë. Kriteri kryesor është që çdo abetare që do të hyjë në konkurs do të jetë bashkëpunim mes dy shtëpive botuese, një nga Shqipëria dhe një nga Kosova, sikurse do të ketë bashkautorë, një nga Shqipëria dhe një nga Kosova. Sipas ministres Abetarja e re do të jetë një produkt i përbashkët që ka dakordim të dy palëve.